Paislee Shultis

SHBA, vajza e zhdukur prej vitit 2019 gjendet në shkallët e një bodrumi

Tre vite pasi ishte deklaruar e zhdukur autoritetet në Nju Jork kanë mundur të gjejnë shëndosh e mirë një vajzë 6-vjeçare, historia e së cilës ka tronditur opinionin publik amerikan.

Paislee Shultis u gjet nga oficerë të policisë nën shkallët e një shtëpie në Saugerties, rreth 300 kilometra larg rezidencës ku banonte në Spencer.

Autoritetet dyshonin se ajo qe grabitur nga prindërit e saj biologjikë, Kimberly Cooper dhe Kirk Shultis Junior, të cilët e kishin humbur kujdestarinë për shkak të dhunës në familje dhe mungesës së kushteve ekonomike.

Ky dyshim u konfirmua këtë javë, kur policia mori informacione të sigurta se vajza ishte parë në shtëpinë e gjyshërve të saj. Autoritetet rrethuan shtëpinë në një zonë periferike të Saugerites dhe pas rreth një orë kërkimi mundën ta gjenin.

Pas heqjes së disa dërrasave të shkallëve të bodrumit, vajza dhe nëna e saj Kimberly u gjetën të fshehur në një dhomë të errët dhe të lagësht, tha policia.

Paislee u dërgua në spital për ekzamime, prej të cilave rezultoi të ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo iu dërgua kujdestarëve të saj ligjorë.

Policia arrestoi prindërit e Paislee-it dhe dhe gjyshin e saj, Kirk Shultis, 57 vjeç. Ata do tëpërballen me akuzat për ndërhyrje në kujdestari dhe kanosje të mirëqenies së një fëmije.

Duke u justifikuar për mediat çifti Shultis thanë se dhomën e improvizuar poshtë shkallëve e kishin hapur për rastet kur do kishte policë në zonë.

Policia tha se që kur vajza ishte shpallur e zhdukur e kishte marrë në pyetje disa herë Kirk Shultis Jr. Por ai kishte mohuar të kishte dijeni për vendndodhjen e saj.