SHBA urdhër familjarëve të stafit të ambasadës të largohen nga Ukraina

Të afërmit e stafit të Ambasadës Amerikane në Ukrainë janë urdhëruar që të largohen nga vendi. Kjo për shkak të frikës në rritje nga pushtimi rus.

Përveç familjarëve të zyrtarëve, u është këshilluar të largohen edhe anëtarë të tjerë të stafit të ambasadës dhe qytetarëve amerikanë që ndodhen aktualisht në Ukrainë.

Departamenti Amerikan i Shtetit njofton se ambasada gjithsesi do të qëndrojë hapur, ndonëse në çdo moment Rusia mund të nisë pushtimin.

Nga ana e Rusisë zyrtare është mohuar ekzistenca e një plani për veprim ushtarak ndaj Ukrainës.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha për median AFP se nëse do të ndodhte një pushtim rus, qeveria amerikane nuk do të ishte në gjendje të evakuonte qytetarët amerikanë.

Lëvizja e SHBA-ve është pjesë e një sërë masash paraprake që Departamenti i Shtetit përdor kur krizat mund të vënë në rrezik diplomatët amerikanë.

Deri më tani nuk ka asnjë veprim rus që të sjellë vendimin e SHBA-ve.

Kreu i aleancës së mbrojtjes ushtarake të NATO-s ka paralajmëruar se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Evropë pasi rreth 100,000 trupa ruse janë grumbulluar në kufi me Ukrainën.

Të shtunën mbërritën në Ukrainë rreth 90 ton municione nga Amerika si mbrojtje për Ukrainën në vijën e parë kundër rusëve.

Rusia ka kapur territorin ukrainas edhe më parë, kur aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas protestave të ashpra në Ukrainë që rrëzuan presidentin pro-rus të vendit. Forcat ruse morën kontrollin e Krimesë përpara se territori të votonte për t’u bashkuar me Rusinë në një referendum që Perëndimi dhe Ukraina e konsideruan të paligjshëm.

Që atëherë, ushtria e Ukrainës është përfshirë në një luftë me rebelët e mbështetur nga Rusia në zonat në lindje pranë kufijve të Rusisë. Rreth 14,000 njerëz janë vrarë në rajonin e Donbas.

Të dielën, Ministria e Jashtme e Britanisë akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin se po planifikon të instalojë në qeverinë e Ukrainës një figurë pro-Moskës për të udhëhequr vendin.