SHBA pretendon se Rusia ka gati listën e vrasjeve pas pushtimit të Ukrainës

Zyrtarë amerikanë thonë se kanë siguruar një raport që zbulon se Rusia ka një listë të ukrainasve të cilët do t’i vrasë ose dërgojë në kampe torturash në rast të pushtimit të Ukrainës. Lajmi po bën jehonë në mediat ndërkombëtare.

Në një letër drejtuar shefes së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, ambasadorja e Uashingtonit në OKB në Gjenevë pohoi se planifikimi i Rusisë pas pushtimit do përfshijë tortura, zhdukje dhe vuajtje njerëzore.

Ambasadorja pretendon se objektivat do të përfshinin disidentët rusë dhe bjellorusë në mërgim në Ukrainë, gazetarë dhe aktivistë kundër korrupsionit dhe minoritetet fetare, etnike dhe personat LGBTI.

Megjithatë, nuk jepet asnjë detaj se si u sigurua raporti dhe çfarë përmban më në hollësi.