
SHBA, miratohet për përdorim ilaçi kundër Alzheimerit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar përdorimin e ilaçit të parë që mendohet se jep efekte lehtësuese ndaj simptomave të Alzheimerit.
Administrata e Barnave dhe Ushqimit miratoi përdorimin e ilaçit Lecanemab, i zhvilluar nga kompanitë Eisai dhe Biogen, të cilat thonë se preparati i tyre mundet të shkatërrojë një proteinë toksike që formohet në tru dhe që lidhet me sëmundjen.
Preparati këshillohet të jepet për pacientët në fazat e para të sëmundjes. Ai thuhet se heq nga qarkullimi i gjakut proteinën beta amiloide të quajtur Vader, përgjegjëse për disa nga simptomat degraduese të trurit.
Shkencëtarët thonë se proteina në fjalë nxit depozitime toksike, të cilat shkatërrojnë neuronet. Kjo mund të sjellë si pasojë zbehjen e aftësive njohëse, humbjen e kujtesës deri dhe vdekjen.
Kompani të ndryshme janë munduar të gjejnë një ilaç për Alzheimerin, por nuk ia kanë dalë mbanë të prodhojnë një preparat të efektshëm.
Lecanemab rezultoi se reduktonte me 27% degradimin e aftësive njohëse te njerëzit me simptoma të hershme të Alzheimerit. Por nga ky grup rezultoi se 13% e tyre manifestuan inflamacion të trurit.
Sidoqoftë mjekët dhe ekspertët amerikanë shprehen se rreziqet nga ky ilaç janë shumë më të vogla se sa përfitimet.
Por ilaçi duket të jetë i kushtueshëm. Një trajtim vjetor për një pacient me faza të para të Alzheimerit pritet të kushtojë 26,500 dollarë.
*Tibo News.