
SHBA lë në pritje heqjen e tarifave tregtare me Kinën
Disa muaj pasi po diskutonte lehtësimin e tarifave tregtare me Kinën, të vendosura nga presidenca e Trump, administrata e Biden duket se ka ndryshuar mendje.
Për këtë ka ndikuar përshkallëzimi i tensioneve me Kinën për Taivanin. Në Washington megjithatë vëmendja shkon te zgjedhjet lokale ku demokratët duhet medoemos të bëjnë diçka për të zbutur inflacionin, pasi kjo po kthehet në çështjen më madhore të ekonomisë.
Administrata e Biden po konsideronte heqjen e disa tarifave tregtare me Kinën si zgjidhje për të ulur inflacionin. Po kështu nisjen e hetimeve për shkelje të mundshme në disa marrëveshje të cilat mund të nxisnin tarifa të reja. Por burime pranë Shtëpisë së Bardhë thanë për Reuters se tanimë të gjitha këto çështje janë vënë mënjanë.
Kjo ndodh pak pasi kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi vizitoi Taipein duke nxitur Kinën të zgjasë me disa ditë stërvitjen ushtarake rreth Taivanit, ishull të cilin Pekini e konsideron si territor të saj.
Përballë përgjigjes së Pekinit, që kushtëzoi marrëdhëniet për disa çështje ndërkombëtare, Uashingtoni duket se po tregohet i matur për të mos bërë asgjë që mund të konsiderohet si përshkallëzim i tensioneve.
Shtëpia e Bardhë thotë se Biden nuk ka marrë ende vendim në lidhje me tarifat dhe se të gjitha opsionet mbeten në tryezë.
*Tibo News