SHBA kërkon të ndalojë përdorimin e TikTok

Rrjeti social TikTok mund të ndalohet të përdoret së shpejti në SHBA.

Kjo është ajo çfarë synojnë ligjvënësit Amerikan nëpërmjet një projektligji dypartiak kundër kompanisë që udhëhiqet nga gjigandi kinez i teknologjisë “ByteDance”.

Muajin e shkuar, kreu i Byrosë Federale të Hetimeve shprehu shqetësimin se Kina mund ta përdorë aplikacionin për të ndikuar te përdoruesit apo për t’ua kontrolluar pajisjet.

Disa shtete në SHBA tashmë e kanë ndalur TikTokun nëpër pajisjet qeveritare.

Megjithatë, projektligji ka rrugë të gjatë për të bërë.

TikToku, që ka më shumë se 100 milionë përdorues vetëm në SHBA, ka thënë se lëvizja është një “ndalesë e motivuar politikisht, që s’do të bëjë asgjë për të avancuar sigurinë kombëtare të SHBA-së”.

Kompania ka shtuar se po zhvillon planet për të shtuar më shumë siguri në platformë për përdoruesit Amerikan.

Një tjetër projekt-ligj dypartiak është paraqitur për të kufizuar aksesin në bankat amerikane për Huawei Technologies dhe firma të tjera kineze.

Ligjvënësit thonë se kompanitë janë të përfshira në spiunazh ekonomik kundër SHBA.

*TiboNews