
SHBA-ja vlerëson takimin Kurti – Vuçiç
Shtetet e Bashkuara thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Të hënën Bashkimi Evropian tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj.
Më herët gjatë së martës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pas pajtimit të një nate me parë, palët duhet të fillojnë menjëherë diskutimet për zbatimin e propozimit evropian por edhe përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Bashkimi Evropian paralajmëroi takime të reja në kuadër të diskutimeve rreth zbatimit të propozimit evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë të dyja vendet për të diskutuar planin e zbatimit të marrëveshjes sipas propozimit evropian para se të organizohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri Kurti tha ndërkaq se takimi i së hënës “konfirmoi që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive”.
Ai tha se “do të ketë bisedime jo të kollajshme, por qëllimi i Brukselit është që brenda muajit mars të ketë rezultate të prekshme”.
Të hënën ai tha se ishte i gatshëm të nënshkruante planin evropian por kjo nuk ndodhi meqë pala serbe nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë.
Presidenti serb Vuçiç, tha të martën se një nga pikat e planit evropian nënkupton që Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara.
“Prandaj nuk kam nënshkruar”, tha ai duke nënvizuar se në Bruksel është pajtuar për vazhdimin e bisedimeve.
Të dyja vendet aspirojnë integrimet evropiane, por më parë duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet. Plani evropian thotë se palët nuk do të pengojnë njëra tjetrën në përpjekjet për integrim në bllok.