SHBA-ja e fut Azerbajxhanin në listën e vëzhgimit të lirisë fetare

Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur Azerbajxhanin dhe tri vende të tjera në listën e vëzhgimit, për tolerim të “shkeljeve të rënda të lirisë fetare”. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në një deklaratë më 4 janar se Azerbajxhani i bashkohet listës me Republikën e Afrikës Qendrore, Komoret dhe Vietnamin.Kjo vjen pasi Komisioni i SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF) vuri në dukje shqetësimet lidhur me ruajtjen e vendeve fetare të krishtera në Nagorno-Karabakh.

Marrja e kontrollit nga Azerbajxhani në shtator bëri që pothuajse e gjithë popullsia, prej 100.000 armenësh etnikë, të ikte në Armeni. Komisioni, gjithashtu, shprehi alarmin lidhur me rregulloret mbi praktikat fetare në vendin me shumicë myslimane të drejtuar nga presidenti Ilham Aliyev, duke përfshirë këtu një kërkesë që të gjitha grupet fetare të regjistrohen dhe literatura e tyre të miratohet nga një organ zyrtar.Blinken tha se përveç “listës speciale të vëzhgimit” të Departamentit të Shtetit, ka dymbëdhjetë “vende me shqetësim të veçantë” – Burma, Kina, Kuba, Eritrea, Irani, Nikaragua, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia, Arabia Saudite, Taxhikistani dhe Turkmenistani.