SHBA, gjykata shpëton kompanitë e barnave

Katër kompani të mëdha barnash i kanë shpëtuar mijëra padive në SHBA pasi një gjykatë rrëzoi pretendimet se ilaçi për urthin Zantac mund të shkaktojë kancer.

Autoritetet thanë se nuk ka baza shkencore për pretendimet e mbi 50 mijë shtetasve amerikanë që i ishin drejtuar gjykatës federale për kompanitë GSK, Pfizer, Sanofi dhe Boehringer Ingelheim.

Avokatët e paditësve thanë se ishin ‘jashtëzakonisht të befasuar’ nga ajo që ata e quajtën një ‘padrejtësi’. Çështja do të kalojë në apel ku publiku shpreson që vendimi të ndryshohet.

GSK dhe Pfizer thanë se e mirëpritën vendimin.

Të gjithë prodhuesit e barnave të përfshira kanë mohuar se Zantac shkakton kancer.

Ilaçi u miratua për herë të parë në vitin 1983 dhe u bë një nga të parët që arriti në 1 miliard dollarë shitje vjetore.

Fillimisht u tregtua nga një paraardhës i GSK, dhe më vonë licenca iu shit Pfizerit, Boehringer Ingelheimit dhe Sanofit.

Por disa prodhues dhe farmaci ndaluan shitjet e ilaçit në vitin 2019.

Kjo ishte për shkak të shqetësimeve që përbërësi i tij aktiv, ranitidina, u degradua me kalimin e kohës për të formuar një kimikat të quajtur NDMA, – i cili nëse përdoret në sasi të mëdha mund të shkaktojë kancer.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së në vitin 2020 tërhoqi nga tregu të gjithë markën e mbetur Zantac dhe versionet gjenerike.

Pas kësaj në gjykatat federale nisën padi në seri nga njerëz të ndryshëm që thoshin se ishin prekur nga kanceri pasi kishin marrë Zantac.

Sidoqoftë këtë javë, një gjykatës në Florida vendosi se dëshmitë e ekspertëve që paditësit planifikonin të përdornin nuk mund të pranoheshin në gjykatë me argumentin se metodologjia e tyre nuk ishte e besueshme.

Pas vendimit në shkallën e parë aksionet e prodhuesve të barnave u rritën nga 5-8%.

*Tibo News.