SHBA e përballon krizën e sanksioneve, po Europa?

Teksa Rusia intensifikon luftën e saj në Ukrainë, duke vrarë civilë dhe duke nxitur krizë të madhe të refugjatëve, presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur të martën, më 8 mars, një ndalesë në importet e naftës ruse.

Një embargo e plotë do të ishte më efektive nëse do të përfshinte edhe aleatët evropianë, të cilët po ashtu dëshirojnë që të ndalet dhuna në Ukrainë dhe janë të shqetësuar për rrezikun që përbën Moska në kontinentin evropian.

Megjithatë, është ende e paqartë nëse Evropa do të marrë pjesë në embargo, ndonëse Britania e Madhe ka bërë të ditur të martën se do të heqë dorë gradualisht nga nafta ruse deri në fund të vitit 2022.

Ndryshe nga SHBA-të, sektori i energjisë në Evropë është tejet i varur nga importet e Rusisë, e cila njihet si shteti i dytë më i madh në botë që eksporton naftë të papërpunuar, pas Arabisë Saudite.

Nëse SHBA-ja mund të zëvendësojë sasinë që merr nga Moska, Evropa nuk mundet, të paktën për një farë kohe.

Për më tepër, secila ndalesë në eksportet e naftës ruse mund të rrisë çmimet e naftës dhe gazit në të dyja kontinentet, duke bërë që konsumatorët, bizneset, tregjet financiare dhe ekonomitë globale të përballen me vështirësi.

Kjo periudhë e rritjes së çmimeve të naftës në SHBA, kur një gallon ka arritur në një mesatare prej 4.17 dollarë amerikanë këtë të martë, administrata e Bidenit është përballur me presion në rritje për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë, përfshirë ndalesën në importet e naftës.

Tani për tani, kjo ndalesë që sugjerohet të jetë më e madhe edhe në Europë, nuk duket e realizueshme.

Të hënën, kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka bërë të qartë se shteti i tij, duke qënë edhe konsumatori më i madh i energjisë ruse në Evropë, nuk ka në plan që t’i bashkohet ndalesës.

Ndikimi ndaj Rusisë i kësaj “ndalese” mund të jetë minimal. Shtetet e Bashkuara importojnë sasi të vogël të naftës ruse dhe nuk blejnë nga ajo gaz natyror.

Vitin e kaluar, vetëm 8%  të importeve amerikane të naftës dhe produkteve të saj janë importuar nga Rusia.

Për shkak që importet amerikane nga Rusia janë modeste, Rusia mund të shesë atë naftë diku tjetër, ndoshta në Kinë apo Indi, por do t’i duhet ta shesë atë më lirë, sepse numri i blerësve që refuzojnë të blejnë naftën ruse po rritet.

Nëse eventualisht Rusia bllokohet nga tregjet globale, shtetet si Irani dhe Venezuela mund të jenë si burime të naftës.

Këto burime shtesë ka mundësi që të ndihmojnë edhe në stabilizimin e çmimeve, prandaj thuhet se një ekip i zyrtarëve të administratës së Bidenit ka qenë në Venezuelë gjatë fundjavës për të diskutuar për këtë gjë.