
Shakira i bën “diss” ish-futbollistit Piqué?
Këngëtarja kolumbiane Shakira, mund të ketë botuar një “Diss” ndaj ish-bashkëshortit të saj Gerard Pique.
Kënga e botuar në kanalin e DJ-it argjentinas, Bizarrap, nuk ka një titull të mirëfilltë veçse “Music Session #53”. Por ajo ka gjeneruar mbi 30 milionë klikime në më pak se dy ditë, duke u kthyer në hit të vërtetë.
Edhe pse në spanjisht, shumëkush ka mundur të lexojë mes rreshtave pjesë të dedikuara ndaj ish-partnerit të saj, ish-futbollistit Pique.
Katalanasi u tërhoq nga futbolli vitin e shkuar dhe konsiderohet si një nga sportistët më të arrirë të gjeneratës së tij.
Jashtë fushe lidhja e tij me këngëtaren Shakira, ka qenë gjithmonë temë për shtypin rozë, deri sa vitin e shkuar çifti vendosi të ndahej, ndërsa Pique së fundmi është lidhur me 23-vjeçaren Clara Chia.
Por çështja mes tyre ka kaluar në një tjetër nivel, pasi Shakira dukshëm lë pjesë të nënkuptohen kundër tij.
“Një ujkonjë si unë s’bën për tipa si ty,” thotë Shakira në një pjesë të këngës teksa më tej zbulon detaje nga ndarja e saj me ish-yllin e Barcelonës.
“Borxhet dhe taksat m’i le mua si komshia në derë,” këndon ajo, duke iu referuar shtëpisë së tyre familjare në Spanjë, e cila e vendosi Shakirën në mes të një rasti të evazionit fiskal pasi dokumentet e parajsave fiskale çuan në një hetim të pasurive të çiftit.
Prokurorët spanjollë e akuzuan Shakirën se nuk kishte paguar 14.5 milionë euro taksa mbi pasurinë. Gjatë kësaj periudhe ajo pretendon se rezidenca e saj kryesore ishte në Bahamas, por prokurorët argumentojnë se ajo jetonte në Spanjë me Piquén.
Shakira vijon më tej në këngë duke nënkuptuar problemet me lidhjen e Piques, kur nënkupton se ai nuk i kushtonte shumë kohë asaj, por më shumë kalonte kohë në palestër.
Në karrierën muzikore, Shakira ka lënë shpesh të kuptohet se në tekste ajo këndon episode të jetës së saj, por ajo kurrë nuk ka qenë kaq eksplicite sa në këngën e fundit.
Ndër frazat më “bombë” ndaj Piques, të cilat po bëhen virale në rrjet, mbeten pjesët kur Shakira i drejtohet “ti këmbeve një Ferrari me një Twingo; një Rolex me një Casio”.
Por disa kritikë e shohin këtë këngë të Shakirës kontraverse pasi nuk ndahet qartë nëse i fuqizon apo denigron gratë, sepse nga njëra anë ajo merr frenat e narrativës së historisë së saj dhe nga ana tjetër përmend dhe ul partneren e re të ish-it.