Sezoni turistik, merret vendimi për orarin e muzikës në lokale dhe zonat ku do lejohet

Sezoni turistik ka bërë që ministria e Turizmit të rishikojë vendimet që lidhen me rendin dhe qetësinë në zonat e pushimit. Në një dalje për mediat, ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro bëri me dije se janë miratuar disa ndryshime në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Ky vendim pritet të miratohet në javën e ardhshme në Kuvend, por çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Sipas vendimit të ri, bashkitë do të caktojnë zonat e banuara në të cilat nuk do të lejohet asnjë aktivitet me zë të lartë pas orës 12 të natës. Ndërkohë do të përcaktohen zonat ku do të vijojë muzika, të cilat nuk janë të banuara. Ministrja Kumbaro tha se monitorimi i këtyre bizneseve do jetë përgjegjësi direkte e policisë bashkiake dhe sipas saj kështu i jepet fund hedhjes së përgjegjësisë nga një institucion tek një tjetër. Sipas vendimit, në zonat ku do të lejohen aktivitetet, muzika do të jetë me zë të lartë nga ora 12:00 (orari i drekës) deri në orën 00:00 të mbrëmjes.

A do të ketë ‘penalizim’ për bizneset që funksionojnë verës kryesisht me koncertë dhe muzikë të lartë?

Ministrja Kumbaro tha se muzika me zë të lartë do të lejohet, por vetëm në zona të cilat nuk janë të banuara ( pa përmendur shembuj konkretë).

Kumbaro tha në fund se edhe Shqipëria po ndjek rregullat që i ndjekin edhe vendet e tjera të BE-së, lidhur me ndotjen akustike dhe rekomandimet që merren nga OBSH.

Pjesë nga deklarata e Mirela Kumbaros: 

Miratuam amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis. Është një punë 1-vjeçare por edhe si rezultat i vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik ku një nga shqetësimet e mëdha që kishin bizneset, pushuesit ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së shpërndarë në lokale bare restorante e hotele. I dhamë zgjidhje një probleme të akumuluar prej vitesh.

Duke filluar nga ky sezon me miratimin e ligjit në javët në vijim, do kemi kontroll më të rreptë të ligjit dhe fasha orare më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë sa i përket kontrollit me mjete të certifikuara për të kontrolluar ndotjen akustike, oraret por edhe një detyrë të re për bashkitë, që kanë detyrimin të përcaktojnë hartën e zhurmave, për të përcaktuar qartë zonat e banuara, krejtësisht të qeta, zonat ku janë larg banesave dhe ku mund të zhvillohen aktivitete zbavitëse me muzikë, sikurse do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave mes policisë bashkiake që do vazhdojë të kontrollojë dhe do pajiset me mjete certifikuese kontrolluese të akredituara edhe për lloje të tjera të zhurmave që mund të krijohen nga biznese të ndryshme në territore të ndryshme të bashkive.

Një ndarje më të qartë për t’i dhënë fund topit që hidhej sa te mjedisi, policia, të gjitha institucionet e kanë shumë të qarta. Fashat orare për sezonin e verës, aktivitetet muzikore do jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës, në përputhje me hartat policia do të marrë kompetencat për të monitoruar dhe ndëshkuar aktivitetet që nuk i zbatojnë”.

*Tibo News