Sërish pëplasje në Kuvend. Miratohen ndryshimet në rregullore për 8 minuta

Në portat e Parlamentit ishte beteja më e madhe e opozitës. Garda bllokoi hyrjen e deputetëve të tjerë, përfshirë ato të maxhorancës. Dhe siç ka ndodhur herë të tjera, pati përplasje edhe fizike mes punonjësve të Gardës dhe deputetëve, edhe mes tyre.
Deputetët e opozitës siç raportohet, ishin ndarë në 3 grupe, dhe secili kishte rolin e tij në strategjinë e bllokimit të hyrjeve të Kuvendit.

Shumë nga socialistët kishin marrë masa për të qenë në seancë që në orën 9 të mëngjesit. Deputetët që erdhën me vonesë u përplasën edhe verbalisht me kundërshtarët politikë. Sipas kreut të Opozitës, Sali Berisha, deputetët e maxhorancës përdorën metoda si dritaret për të hyrë brenda.

Por situata dhe tensionet nuk penguan kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla që të nisë seancën, në një sallë ku më shumë se deputetë kishte prezentë punonjës të Gardës. Nën tymin e flakadanëve dhe konflikteve fizike, u miratuan ndryshimet e rregullores, nën një seancë që zgjati vetëm 8 minuta.

Gazment Bardhi paralajmëroi se për këto ndryshime do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Në këtë seancë munguan 13 deputetë të opozitës, përfshi Berisha të përjashtuar nga dy seancat e shkuara. Ndërkohë që nuk dihet nëse do të ketë ndonjë masë disiplinore për Edmond Spahon që ndezi një flakadan.