
Serie-A, Spezia përmbys Milanin, Fiorentina dërrmon 6-0 Genoan
Milani i Stefano Piolit vuajti të hënën një humbje befasuese 2-1 ndaj Spezias në shtëpi. Në San Siro kuqezinjtë e nisën mbarë me dy-tre raste nga Rafael Leao, por ky u tregua disa herë egoist duke mos shërbyer të tjerët në zonë.
Në fund të pjesës së parë Leao fitoi një penallti, të cilën Theo Hernandez nuk arriti ta dërgojë në rrjetë. Në një kundërsulm më pas, Leao finalizoi vetë duke nxjerrë Milanin në avantazh. Në pjesën e dytë Spezia e Thiago Mottas u paraqit ndryshe në fushë duke synuar disa herë barazimin. Agudelo u shërbye mirë në zonë nga Verde dhe mundi të barazojë në minutën e 64-të.
Milan reagoi, por një gol i Jr.Messias nuk vlejti pasi gjyqtari Marco Serra vërshëlleu më parë një faull për Theo Hernandezin. Gjyqtari kërkoi menjëherë ndjesë për nxitimin, por vendimi i tij nuk kishte si të tërhiqej.
Ky moment rezultoi vendimtar për sfidën pasi Spezia gjeti golin e përmbysjes me anë të Emmanuel Gyasi në minutat shtesë. Kjo humbje e lë 2 pikë pas Interit Milanin në klasifikimin e përgjithshëm.
Në sfidat e tjera, Napoli i Amir Rrahmanit fitoi 2-0 transfertën me Bolognan duke iu falur një dygolëshi të Hirving Lozanos. Por mbrëmja e së hënës kishte totalisht vëmendje te dueli Fiorentina-Genoa, ku të dy skuadrat vinin nga një periudhë e keqe.
Skuadra vjollcë pas humbjes 4-0 me Torinon, Genoa pas shkarkimit të trajnerit Andriy Shevchenko. Por Fiorentina tregoi cilësitë e saj duke shënuar plot 6 herë në portën e Salvatore Sirigusë. Nga golat spikatën ato të kapitenit Cristiano Biraghi, i cili realizoi dy herë me goditje dënimi.
Me këtë fitore Firoentina i afrohet Juventusit në kërkim të një vendi në kupat e Europës, ndërsa Genoa mbetet e parafundit në klasifikim pas Cagliarit me 12 pikë.