Serie-A, Milan mposht Romën, Juventus ndal Napolin

Vit i ri, probleme të vjetra. Java e 20-të e Serie-A vijoi me pandeminë si shqetësim kryesor. Infektimi i dhjetëra futbollistëve dhe zyrtarëve të klubeve detyroi anulimin e të paktën 4 ndeshjeve të mërkurën. Bologna-Inter, Atalanta-Torino, Salernitana-Venezia dhe Fiorentina-Udinese nuk u luajtën për shkak se autoritetet lokale shëndetësore vendosën karantinë të detyruar për skuadrat.

Sidoqoftë në ndeshjet që u luajtën nuk mungoi spektakli dhe golat. Në Genoa, Cagliari befasoi Sampdorian duke korrur fitoren e parë në transfertë për këtë sezon. Deiola dhe Pavoletti përmbysën golin e Gabbiadinit. Verona fitoi gjithashtu transfertën me Spezian duke iu falur dytgolëshit të Gianluca Caprarit.

Ndërkohë emocione të jashtëzakonshme pati në Romë, ku Lazio barazoi 3-3 me Empolin. Emilianët e nisën mirë ndeshjen me dy gola të shpejtë ku në rrjetë shkoi edhe Nedim Bajrami. Immobile dhe Milinkovic-Savic barazuan, Di Francesco realizoi përkohësisht për avantazhin 2-3, mirëpo në fund Lazio ia doli të barazojë po me Milinkovic-Savic.

Ndeshje emocionuese ishte ajo në San Siro mes Milanit dhe Romës. Këta të fundit e nisën si mos më keq duke pësuar dy gola në 17 minuta, fillimisht me një penallti të Giroud e më pas me një gafë në mbrojtje që i dhuroi golin Messias. Pellegrini dhe Abraham u munduan të reagonin, por goli i tyre nuk zgjidhi shumë punë.

Roma humbi qetësinë dhe e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë pasi Rafael Leao shënoi golin e tretë. Në fund Zlatan Ibrahimovic humbi një penallti, por kjo nuk i zbehu gjë faktit se Milani siguroi një fitore me peshë. Në mbrëmje vëmendja shkoi te super-ndeshja Juventus-Napoli e cila u mbyll 1-1. Napolitanët kaluan të parët në avantazh me Mertens në pjesën e parë.

Bardhezinjtë u munduan të reagonin, por barazimi erdhi vetëm në pjesën e dytë me Federico Chiesan. Me Interin që ka një ndeshje më pak, Milani shkurton diferencën duke shkuar në -1 nga kreu.