
Serie-A, Inter rimerr kryesimin e kampionatit pas fitores me Lazion
Interi i Simone Inzaghit vijoi serinë e rezultateve pozitive duke mundur të dielën 2-1 Lazion në Serie-A. Sfida e luajtur në San Siro pa Interin të realizonte shpejt me anë të Lautaro Martinez, por goli i tij nuk vlejti për pozicion jashtë loje.
Rreth 15 minuta më vonë Bastoni dhuroi entuziazëm me një gol nga jashtë zone, por festa nuk zgjati shumë pasi Ciro Immobile barazoi për Lazion pas një përgjumje totale në mbrojtjen e Interit. Lazio u përpoq ta përmbysë rezultatin. Sidoqoftë përpjekjet e saj nuk u finalizuan dot. Ndryshe bëri Interi.
Në pjesën e dytë Skriniar riktheu zikaltërit në avantazh kësaj here për të mos u barazuar më. Inter fitoi kështu përballë skuadrës së vetme që ia kishte dalë ta mundte këtë sezon. Me këtë fitore zikaltërit i morën sërish kryesimin Milanit.
Kuqezinjtë patën fituar më herët 3-0 transfertën me Venezian. Zlatan Ibrahimovic realizoi shumë shpejt për skuadrën e Stefano Piolit. Kuqezinjtë vijuan serinë e aksioneve sulmuese, por do të ishte Theo Hernandez ai që do të kthente në gola të paktën dy raste për ta mbyllur sfidën me një dopjetë.
Goli i dytë erdhi pas prekjes me dorë të Svobodas dhe një njëmbëdhjetëmetërshi të akorduar. Por java e 21-të e Serie-A pa një super-ndeshje mes Romës dhe Juventusit me një total prej 7 golash. Në Olimpico skuadra e Jose Mourinhos e nisi shumë mirë me një gol të shpejtë të Abraham.
Juventus reagoi me Paolo Dybalan me një perlë nga jashtë zone. Roma këmbënguli me aksione të shpejta teksa Mkitarhian dhe më pas Pellegrini e kthyen rezultatin në 3-1 për verdhekuqtë. Sidoqoftë nuk ishte e thënë që të kishte 3 pikë për Mourinhon. Roma lëshoi shumë në minutat që pasuan.
Locatelli shënoi nisjen e përmbysjes me një gol me kokë. Rrëmuja mbizotëroi te mbrojtja e Romës dhe Kulusesvski barazoi rezultatin në 3-3. Me moralin e rrëzuar, De Sciglio vulosi përmbysjen 3-4 për një ndeshje të çmendur që në fund pa edhe një penallti të humbur nga Pellegrini.
Ndeshje po kaq e çmendur ishte edhe Udinese-Atalanta që u mbyll me shifrat tenistike 2-6 për skuadrën e Gasperinit.
Pas javës së 21-të Serie-A kryesohet nga Interi me 49 pikë, pas vijnë Milani me 48, Napoli 43, Atalanta 41, dhe Juventusi 38.