Serie-A, Atalanta ndal Interin, Roma fiton me vështirësi ndaj Cagliarit

Inter humbi terren në garën për titullin kampion të Italisë, pasi në fundjavë u ndal në barazim 0-0 me Atalantën.

Në sfidën e luajtur në Bergamo, skuadra e Simone Inzaghit vuajti për të gjetur rrugën drejt rrjetës. Dzeko e Sanchez vunë në provë disa herë portierin Musso, por ky u tregua i zoti të neutralizonte çdo rrezik.

Në anën tjetër për skuadrën e Gian Piero Gasperinit, Pessina ishte më i rrezikshmi. Ai pati disa raste për të befasuar interin, por Handanovic mundi ta bllokojë. Muriel gjithashtu kishte një mundësi të artë. Në fund ishte D’Ambrosio që shpërdoroi një shans të artë për Interin. Zikaltërit ndalen pas dy muajsh me fitore në Serie-A.

Nga ndeshjet e së dielës ra në sy fitorja e mundimshme e Romës përballë Cagliarit në Olimpico. Për Jose Mourinhon ishte sfidë ankthi, sidomos me faktin se sulmi mbetet i bllokuar. Ndeshja nisi me dy herë rishikime me videoasistencë nga gjyqtarët. Prej tyre u vendos një penallti në minutën e 33-të, të cilën e ktheu në gol portugezi Sergio Oliveira. Goli i tij rezultoi vendimtar për fatet e ndeshjes, ndërsa Cagliari pati disa shanse për ta barazuar rezultatin, por nuk ia doli.

Në sfidat e tjera Verona mundi 4-2 Sassuolon në një sfidë emocionuese të futbollit të bukur. Skuadra e Igor Tudor iu fal formës së Antonin Barak i cili shënoi dy gola dhe një asist dhe tashmë kap mesin e tabelës. Ndryshe Empoli i Nedim Bajramit u ndal në barazim 1-1 nga Venezia, e cila mban gjallë shpresat për mbijetesë në Serie-A.