Serbi: Raporti i KE-së për Kosovën shihet si gjest armiqësor

Në Kosovë vendimi i  Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës që i hap rrugën Kosovës për anëtarësimin në këtë Këshill u mirëprit me entuziazëm, ndërsa në Serbi me kritika dhe kundërshtime. Hapi i radhës do të jetë më 18 prill, kur ky raport do të hidhet në votim para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Nëse merr miratimin edhe në Asamble, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Zemërimi në Serbi pas miratimit të raportit ishte i madh. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq madje kërcënoi me largimin e Serbisë nga Këshilli, nëse Kosova bëhet anëtare. Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se vendimi i Komisionit të Këshillit të Evropës është shkelje e drejtpërdrejtë e interesave shtetërore dhe cënim i tërësisë tokësore të Serbisë. Sipas autoriteteve serbe, përkatësisht nga Vuçiq dhe Daçiq, anëtarësimi i plotë i Kosovës në Këshill të Evropës “do të ishte një gjest armiqësor ndaj Serbisë”.

Ndryshe është qëndrimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës. “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Këshillit, dujt theksuar, se “duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për diplomaci, dialog dhe kompromis”, dhe në këtë mënyrë i bëhet thirrje “Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, që ishte i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me Këshillin, shkroi në profilin e tij, se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja, janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”. E Komiteti i Këshillit tha pas votimit të raportit se “e mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës”, duke saktësuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësim, por nënvizoi se “duhet të jetë një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën”, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë./DW/