Serbët “jobesnikë” nga Kosova që “shkelin” rendin kushtetues të Serbisë

Përderisa përfaqësuesit e Listës Serbe gëzojnë mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, madje edhe kur betohen në Kushtetutën e Kosovës, anëtarët e tjerë të komunitetit serb të Kosovës ndalohen, arrestohen ose merren në pyetje, nën dyshimin se kanë shkelur rendin kushtetues të Serbisë.

Një nga rastet e fundit kur serbët nga Kosova u ndaluan në Serbi ka ndodhur më 17 prill, kur së paku për pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb janë kryer “verifikimet për sigurinë e Republikës së Serbisë”.

Madje, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Megjithatë, ai është liruar mbrëmjen e 18 prillit.

Autoritetet e Kosovës njoftuan se serbët e ndaluar nga Kosova akuzohen për “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”.

Avokati nga Beogradi, Bozho Prelleviq, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se të gjithë ata serbë nga Kosova, që nuk ndjekin politikat e Partisë Progresive Serbe në pushtet, mund të akuzohen për shkelje të rendit kushtetues të Serbisë.

“Ndërkaq, nuk do të përgjigjet askush që ndjek politikën partiake, pavarësisht se ajo politikë partiake është thellësisht antikushtetuese, e paligjshme e kështu me radhë”, thekson ai.

Edhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e cila jeton në Beograd, konsideron se autoritetet serbe “po ushtrojnë represion” mbi të gjithë serbët e Kosovës që nuk janë “besnikë” ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Të gjithë ata që nuk janë besnikë ndaj Vuçiqit dhe kanë komunikim me institucionet e Kosovës, janë në listën e zezë në Serbi”, thotë Trajkoviq.

Vuçiq është një nga themeluesit e Partisë Progresive Serbe në Beograd si dhe i Listës Serbe në Kosovë.

Kjo parti – më e madhe e serbëve në Kosovë – është e vetmja që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar për veprimin dhe pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës.

A e shkel Lista Serbe rendin kushtetues të Serbisë?

Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka fituar në të gjitha zgjedhjet lokale dhe qendrore në Kosovë.

Deri në nëntor të vitit 2022, kur mori vendimin për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, Lista Serbe udhëhoqi të dhjetë komunat me shumicë serbe, kishte dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, si dhe pozita ministrore në Qeveri.

Aktualisht, kjo parti ka pushtetin në gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të lumit Ibër dhe ka nëntë deputetë në Kuvend, sepse pas dorëheqjeve, morën sërish mandatet e tyre që të mos shkojnë në duart e partive të tjera politike.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, serbët kanë dhjetë vende të garantuara në Kuvend.

Mirëpo, për të marrë mandatet e tyre, fillimisht duhet të bëjnë betimin, në të cilin ndër të tjera shkruhet “se do të mbrojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe do ta mbrojnë integritetin territorial”.

Çfarë shkruhet në betimin, të cilin deputetët e Listës Serbe e kanë bërë që nga viti 2013?

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”.

Dhënia e betimit të tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën si krahinë autonome dhe pjesë përbërëse të Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh.

Mirëpo, në bazë të marrëveshjes së arritur në kuadër të dialogut për normalizim, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Serbia ka pranuar dokumentet e Kosovës, diplomat, targat, simbolet shtetërore e të ngjashme.

A po e shkelin Kushtetutën e tyre autoritetet në Serbi?

Avokati nga Beogradi, Bozho Prelleviq, shpjegon se, sipas Kodit Penal të Serbisë, individët që janë në pushtet, kanë cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

“Ata jo vetëm që morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes (si pjesë e dialogut), në dorëzimin e sistemeve të mëdha ekonomike shtetit të Kosovës, i cili sipas Kushtetutës është pjesë e Serbisë, por edhe Lista Serbe – e cila, sipas mendimit tim, është një grup kriminal – është betuar në Kushtetutën e vendit që është krijuar brenda kufirit të Serbisë. Për këtë (betimin në Kushtetutën e Kosovës) kanë pasur pëlqimin e presidentit (Aleksandar Vuçiq) dhe Qeverisë së Serbisë”, thotë ai.

Në anën tjetër, politikania Rada Trajkoviq thekson se Marrëveshja dhe dialogu i Brukselit kishte për qëllim arritjen e paqes dhe normalizimin e marrëdhënieve, por pushteti aktual në Serbi vazhdimisht po e shkel këtë.

“Ajo që kemi parë tani, me qytetarët e nacionalitetit shqiptar, është se në vend të një projekti të pajtimit – të cilin të gjithë e kemi pritur me padurim në aspektin e lëvizjes së lirë – tani kemi një demonstrim të një projekti hakmarrjeje”, thotë ajo.

Më 17 prill, autoritetet e Kosovës njoftuan se qindra shqiptarë nga Kosova janë ndaluar në Serbi për t’u marrë në pyetje ose për t’u ndaluar pa asnjë shpjegim, gjë që Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë e ka mohuar.

Pse ndalohen apo arrestohen serbët nga Kosova?

Më 14 prill, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kushdo që shkel rendin kushtetues të vendit do të “ndiqet, arrestohet dhe procedohet”.

Deklarata e tillë erdhi si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të Sreqko Sofronijeviqit në Kosovë, i cili u arrestua më 13 prill, nën dyshimin për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës në protestat në Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut në vitin 2021, gjatë një aksioni kundër kontrabandës me mallra.

Avokati Preleviq beson se ndalimi i serbëve për shkelje të rendit kushtetues të Serbisë është një “përpjekje për disiplinim”.

“Tani çështja është se sa ata mund të disiplinohen. Nuk ka njeri që njoh që nuk mendon se janë tradhtuar dhe shitur. Por, ata votuan për të, për atë Listë Serbe, kështu që në thelb ata morën atë që votuan”, thotë ai.

Ai shton se “tani mund ta shihni pse u vra Oliver Ivanoviq”, një politikan opozitar serb nga veriu i Kosovës.

“Ai u vra vetëm pse devijoi nga politika zyrtare (e Beogradit). Largimi nga politika zyrtare ia ulë kredibilitetin presidentit të Serbisë në negociata (me Kosovën). Në këtë mënyrë ai ruan monopolin e negociatave, por sipas bindjes time të thellë, edhe monopolin e përgjegjësisë për vendimet që janë marrë”, vlerëson Preleviq.

Ivanoviq u vra në janar të vitit 2018, por vrasësi apo organizatori nuk janë gjetur, ndonëse hetimet janë duke u zhvilluar si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

“Ndalimi dhe marrja në pyetje e serbëve është formë e poshtërimit”

Rada Trajkoviq u ndalua dhe u mor në pyetje disa herë. Sipas saj, në dhjetor të vitit 2023, ajo është mbajtur në vendkalimin kufitar në Merdarë për më shumë se 20 orë, pa ujë, ushqim dhe medikamente të nevojshme.

Në një prononcim për REL-in, Trajkoviq thekson se sjellja e tillë e autoriteteve serbe është “dëshirë për t’ju poshtëruar”.

“Kjo është situata kur kurrë nuk e dini se a do të arrini atje për ku jeni nisur. Ky është realiteti në të cilin jetojmë. Unë jetoj në një realitet të ashpër”, thotë ajo dhe shpjegon se kushdo që ka kontakt me të i vuan pasojat.

“Ky është terror i tillë, sa që është i pabesueshëm. Fëmijët e mi përjetojnë të njëjtën gjë kur udhëtojnë. Ua marrin dokumentet personale, nuk i lënë të lëvizin”, shton ajo.

Rastet e mëparshme të arrestimit të serbëve për shkelje të rendit kushtetues të Serbisë

Në prill të vitit 2023, autoritetet serbe arrestuan katër serbë nga veriu i Kosovës, të cilët akuzoheshin se ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte ndryshimi i dhunshëm i qeverisë, gjegjësisht përmbysja e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.

Njëri prej tyre ishte Dragan Nikoliq nga Leposaviqi, gruaja e të cilit, Ivana, i tha REL-it asokohe se bëhej fjalë për “persekutim dhe frikësim”.

Nikoliq ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, por ka dhënë dorëheqje në vitin 2022, me kërkesë të Listës Serbe për të dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit nga targat serbe në targa RKS (Republika e Kosovës). Pasi e kishte riregjistruar veturën me targa RKS, atij iu dogj shtëpia.

Si motiv për “sulmin ndaj familjes së saj”, Ivana Nikoliq përmendi përfshirjen e saj politike në Partinë Serbe të Kosovës (PKS).

Avokati Ivan Niniq, i cili mbrojti Dragan Nikoliqin, i tha Radios Evropa e Lirë se bëhej fjalë për një proces të montuar.

Dënimi me burgim në Serbi, për krimet për të cilat u akuzuan Nikoliq dhe tre serbë të tjerë, është dhjetë vjet.

Megjithatë, ata u liruan për mungesë provash./REL