Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton nesër Tiranën, ja axhenda e tij

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vijë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Mësohet se ai do të qëndrojë në Tiranë deri rreth orës 20:00. Ministri i Jashtëm Igli  Hasani do të jetë i pari që do të presë sekretarin Amerikan të Shtetit në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Ndërkaq ndalesa e parë e Blinken do të jetë në ambasadën amerikane ku do ketë një takim me punonjësit për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në axhendën zyrtare të Antony Blinken, parashikohet takimi me presidentin Bajram Begaj, më pas do të shkojë i shoqëruar tek Piramida e Tiranës, ku do takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që përmes studimeve apo edhe programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.

Në orës 16:00 do të zhvillohet takimi me kryeministrin Rama dhe më pas do të mbahet një konferencë e përbashkët për medat në kryeministri. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller ka theksuar se vizita Blinken në Shqipëri është konfirmimi i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për Shqipërinë.

Ndërkaq, autoritetet vendase kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë.

Bulevardi Dëshmorët e Kombit është dekoruar me flamujt amerikan dhe atë shqiptar.