Së shpejti, zyrë e posaçme në ndjekje të parave të pista

Shqipëria, në raportin e fundit, doli nga lista gri e vendeve sa i përket pastrimit të parave.

Dhe në kuadër të këtij raporti, Ministria e Brendshme ka vendosur që të krijojë një zyrë e lidhet me rikuperimin e aseteve që kanë origjinë nga krimi.

Përmes një projektligji të hedhur për konsultim publik, ky institucion do merret me gjurmimin dhe identifikimin e pasurive të cilat lindin nga një vepër penale ose një veprimtari kriminale.

Pas identifikimit të këtyre pasurive, ato do i nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit nga organet kompetente.

Në këtë kategori janë përfshirë paratë jashtë sistemit bankar, letra me vlerë, depozita, pasuri të patundshme etj.

Kësaj zyre do t’i lejohet akses në llogaritë bankare me qëllim parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen penale të veprave penale.

Sipas draftit kjo strukturë do mund të veprojë edhe jashtë Shqipërisë, sipas marrëveshjeve që ka shteti shqiptar dhe do ketë pavarësi operacionale.

Ajo do jetë në mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, e cila do mund të emërojë dhe shkarkojë kreun e Zyrës.