Së shpejti, një linjë nënujore nga Shqipëria deri në Egjipt

Një marrëveshje e rëndësishme është nënshkruar mes Shqipërisë dhe kompanisë “4iG”. Bëhet fjalë për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore mes Shqipërisë dhe Egjiptit.
Gjatë konferencës, kryeministri Rama falënderoi ekipin e kompanisë pjesëmarrëse për këtë projekt i cili sipas Ramës e zhvillon akoma më shumë vendin tonë, veçanërisht në fushën e inovacionit.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

“Kompania që në Shqipëri zotëron kompaninë “One” dhe që sot vjen si një partner i qeverisë shqiptare për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë që do kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurtë të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse midis Egjiptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendit tonë për një akses në këtë rrugë të re të Mesdheut për një sërë vendesh të Evropës Qendrore.”

Të pranishëm në eventin e marrëveshjes ishin edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku si dhe themeluesi i kompanisë “4iG” Peter Fekete.
Përpos falenderimeve, kreu i qeverisë Edi Rama shprehu optimizmin e tij edhe për punën që skuadra shqiptare do duhet që të bëjë për ta vënë në zbatim këte projekt.
Pjesë nga fjala që mbajti ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku:

“Mendoj se nga njëra anë është projekt i mirëseardhur sepse rrit masën e mozaikut të projekteve për ta transformuar Shqipërinë në një vend kampion në rajon për inovacionin, por nga ana tjetër është i rëndësishëm për besimin e sipërmarrjes në terësi. Një besim që rritet vit pas viti dhe gjen shprehje në këtë rast përmes kompanisë 4 iG që zgjodhi
Shqipërinë si pikë referimi për këtë projekt shumë ambicioz. Në pamje të parë, projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelbin e vet është marramendës për nga impakti dhe vlera që do krijojë. Duke i falënderuar dhe njëherë vendimmarrësit dhe skuadrën e kompanisë si dhe duke patur besim të plotë se pala jonë do jetë në lartësinë e duhur ttë zbatimit të projektit për vënien në funksion të kësaj autostrade, shënon një gur kilometrik në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030.”