Salto De Castro, fshati spanjoll në shitje me çmim apartamenti

Një fshat në Spanjën veriperëndimore është nxjerrë në shitje në shumën e 260 mijë eurove, thuajse çmimi i një apartamenti. Salto de Castro, i vendosur shumë pranë kufirit me Portugalinë, ka 44 shtëpi, kazermë policie si dhe një kishë. Fshati është i braktisur për më shumë se tre dekada dhe nuk ka banorë.

Fshati u ble nga pronari në fillim të viteve 2000, i cili donte ta kthente në një pikë turistike. Megjithatë, ai dështoi për shkak të krizës ekonomike të vitit 2008.

“Pronari kishte ëndrrën për të pasur një hotel këtu, por gjithçka u pezullua. Ai do të donte ende që projekti të realizohej”. tha Ronnie Rodríguez nga Royal Invest, kompania që përfaqëson pronarin.

Pronari ndau detaje të fshatit në faqen e internetit të Idealista dhe përmendi se po e shet sepse është banor urban dhe nuk është në gjendje ta mirëmbajë fshatin siç duhet. Rreth 50,000 klientë kanë shfaqur interes për të blerë fshatin. Rodríguez informoi se njerëz nga Rusia, Belgjika, Franca dhe Britania e Madhe po interesohen për të blerë fshatin dhe një nga blerësit ka dhënë tashmë shumën simbolike për ta rezervuar atë.

Pavarësisht objekteve që ka fshati, ai ka më shumë se 30 vjet që është i braktisur. Në vitin 1950, fshati u ndërtua nga një kompani e prodhimit të energjisë elektrike për të strehuar familjet e punëtorëve në digën aty pranë dhe tre vjet më vonë, në vitin 1980, u braktis plotësisht. Më parë, çmimi i fshatit ishte 6.5 milionë euro dhe pasi nuk u shfaq asnjë blerës potencial, çmimi ra. Sipas studimit të mëparshëm që është bërë nga pronari, për funksionalizimin e fshatit kërkohen mbi 2 milionë euro. Sipas pronarit, blerësi do të kishte akses në subvencione nga shteti dhe qeveria rajonale e Junta de Castilla y León.