
Sali Berisha paralajmëron padi ndaj deputetit gjerman, ç’ka ndodhur?
Ndonëse për asnjë çast nuk konfirmoi se ishte i mandatuar për të folur zyrtarisht në emër të CDU-CSU-së, deputeti gjerman, Gunther Krichbaum shigjetoi ish-Kryeministrin Sali Berisha duke i cilësuar absurde dhe të dënueshme deklaratat e tij ndaj SPAK-ut për çështjen e kompleksit “Partizani”.
Ndryshe nga Sali Berisha, Krishbaum thotë se ndaj ish-kryeministrit rëndojnë akuza të rënda dhe se askush nuk mund të fshihet pas imunitetit.
Pranoi se është takuar jo vetëm me kryeministrin Rama dhe Lulzim Bashën gjatë qëndrimit dy ditor në Tiranë, por i prerë ishte kur tha se nuk mund të ishte pjesë e axhendës së tij një person i shpallur “non grata”.
Krishbaum u shpreh se nuk do të ndërhyjë në çështje të brendshme të Partisë Demokratike, por do dëshironte të shihte një opozitë të fortë në rrugën që Shqipëria ka drejt unionit.
Ndërkaq, Berisha ka paralajmëruar padi ndaj deputetit gjerman për deklaratat e tij.
“E garantoj Gunther Krichbaum se do i jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral. Në një mashtrim publik para shqiptarëve, ka mbrojtur veprimin pa autorizimin e Parlamentit, të SKAP-it të partisë dhe gjykatëses së saj. Ky është mashtrim i një njeriu i paguar apo i papaguar, por që turpëron veten në radhë të parë. Lidhjet tuaja me Lul Bashën nuk duhet t’i përdorësh për të mashtruar e dizinformuar një popull të tërë.”