
Saga e zgjedhjeve të 30 qershorit: Shans (i humbur) për drejtësinë e re
Dy vite pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, çështja e kushtetutshmërisë së dy dekreteve të Presidentit dhe procesit pa pjesëmarrje të opozitës mbetet pa zgjidhje konkrete. Asgjë nuk garanton që 2019-ta të mos përsëritet më.
Presidenti nuk dërgoi në Gjykatë Kushtetuese (GJK) Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk zbatoi dekretin e 10 qershorit 2019 që anuloi datën e zgjedhjeve.
As Kuvendi nuk dërgoi në GJK Presidentin që zhbëri një dekret të mëparshëm.
Për zgjedhjet e 30 qershorit iu drejtua GJK-së vetëm Shoqata e Bashkive. Ajo i kërkoi GJK-së të shprehej për ligjshmërinë e procesit dhe pjesëmarrjen e “Bindjes Demokratike”. BD u përfshi në zgjedhje pavarësisht se u regjistrua më vonë si parti në Gjykatën e Tiranës.
GJK i trajtoi kërkesave të Shoqatës këto dy elemente:
- të drejtën e Shoqatës për t’iu drejtuar GJK-së (ratione personae)
- kufijtë e GJK për të shqyrtuar çështjen (ratione materiale)
Në dhjetor 2021, me vendim unanim GJK u shpreh se nuk ka kompetencë për të trajtuar të gjithë procesin zgjedhor siç kërkonte Shoqata.
Ajo mund të shprehej vetëm për të drejtën individuale për t’u zgjedhur të një kandidati të caktuar. Shoqata nuk kishte sjellë një kërkesë me emra specifikë, rrjedhimisht GJK tha se kërkesa nuk mund të shqyrtohej.
Për sa i përket së drejtës së Shoqatës për t’iu drejtuar GJK-së, gjykata mbajti qëndrimin e Komisionit të Venecias. Ajo tha se Shoqata nuk e justifikonte kërkesën për shqyrtim pasi nuk ishte e përfshirë në procesin zgjedhor.
Dy vjet pas përplasjeve të forta politike mes Presidentit, Kuvendit, qeverisë dhe KQZ-së, GJK nuk i dha zgjidhje ngërçit rreth 30 qershorit.
Ajo vërtetë e përparoi doktrinën kushtetuese në lidhje me proceset zgjedhore, por vetëm kaq. GJK i mohoi vetes një shans për të afirmuar drejtësinë e re.
Kështu dy vite pritje për formimin e GJK-së së re nuk i dhanë asnjë garanci më shumë sistemit demokratik në Shqipëri. Sërish një situatë si ajo e 30 qershorit 2019 mund të përsëritet.
Presidenti mund të anulojë lirisht datën e zgjedhjeve dhe qeveria e KQZ-ja mund edhe të mos i binden.
*Shkrimi nuk përfaqëson qëndrimet e kompanisë TIBO, por vetëm të autorëve Artenis Peka dhe Erblin Vukaj.
Lexoni gjithashtu: