
Saga e zgjedhjeve të 30 qershorit: Beteja e PS-së “për demokracinë”
Në vitin 2019 qeveria socialiste përshkallëzoi në përplasje kushtetuese me Presidentin krizën politike që kishte me opozitën. Kjo pati deklaruar bojkot të zgjedhjeve vendore si rezultat i pretendimeve për vjedhje të proceseve të viteve 2016-2017, por qeveria këmbënguli dhe i mbajti ato pavarësisht se Presidenti i anuloi.
Shumica socialiste refuzoi të gjente mirëkuptim me opozitën në momentin kur kjo lëshoi mandatet dhe kërkoi zgjedhje të jashtëzakonshme vendore dhe parlamentare. Ata i konsideruan të papranueshme këto kërkesa.
Socialistët patën ndarë pushtetin me opozitën para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Sipas tyre një tjetër akt i ngjashëm do të krijonte “precedent të rrezikshëm për demokracinë ku pakicat do të mund të përshkallëzojnë kriza të vazhdueshme si mënyra për të marrë pushtet”.
Për këtë ata këmbëngulën për t’i zhvilluar zgjedhjet vendore të 30 qershorit pavarësisht bojkotit të opozitës dhe pavarësisht dekreteve të Presidentit, që anuluan dhe vendosën datë tjetër zgjedhjesh.
Veprimin e Presidentit ata e konsideruan “në shkelje të Kushtetutës”. Sipas tyre, data e zgjedhjeve caktohet nga Presidenti, por me mirëkuptim mes partive politike dhe ai nuk mund të anulojë një proces pasi ka nisur.
PS tha se “pjesëmarrja ose jo në zgjedhje është në vullnet të lirë të palëve” dhe “për sa kohë qytetarët kanë më shumë se një alternativë zgjedhëse procesi është i rregullt”.
Socialistët e interpretuan veprimin e Presidentit si mohim të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Për rrjedhojë, sipas tyre, Presidenti tejkaloi kompetencat kushtetuese dhe duhej shkarkuar.
Kështu përplasja e PS-së me opozitën u kthye në përplasje kushtetuese me Presidentin. Ajo nisi procedurat e shkarkimit të tij (sipas Nenit 112 të Rregullores së Kuvendit):
- dorëzoi në Kuvend firmat e së paku ¼ të deputetëve,
- kërkoi në Komision të Ligjeve ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor,
- Komisioni analizoi veprimtarinë e Presidentit dhe i propozoi Kuvendit shkarkimin e tij me arsyetimin se “kishte shkelur 10 Nene duke rrezikuar destabilitet”,
- Me 105 vota “pro” Kuvendi vendosi për shkarkimin e Presidentit (10 qershor 2021),
- vendimi u ankimua nga Presidenti në Gjykatën Kushtetuese (GJK),
- GJK vendosi ta shqyrtojë kërkesën e Presidentit, çështja në gjykim (15 shtator 2021),
Pavarësisht pretendimit se Presidenti kishte shkelur Kushtetutën, PS nuk iu drejtua në asnjë moment GJK për të sqaruar njëherë e mirë përplasjen në lidhje me 30 qershorin.
Për 30 qershorin në GJK u drejtua vetëm Shoqata e Bashkive. Për këtë çështje GJK vendosi se nuk ishte kompetente:
- së pari, sepse GJK nuk mund të gjykojë tërësinë e procesit zgjedhor, por vetëm funksionarë/kandidatë konkretë,
- së dyti, Shoqata nuk kishte interes të justifikuar në çështje, pasi nuk ishte palë në zgjedhje as organ që mund t’i drejtohet Kushtetueses për çështje të tilla,
Presidenti e konsideroi “zhgënjyes” vendimin, ndërsa PS tha se “vendimet e GJK nuk komentohen”.
GJK e ka lënë situatën pezull duke mos i dhënë zgjidhje krizës institucionale të krijuar nga dekretet e Presidentit, të cilat mund të përsëriten në zgjedhjet e ardhshme.
*Shkrimi nuk përfaqëson qëndrimet e kompanisë TIBO, por vetëm të autorëve Artenis Peka dhe Erblin Vukaj.
Lexoni gjithashtu: