
Saga e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019: Kronologjia
Zgjedhjet vendore të vitit 2019 u zhvilluan pa opozitën, nën trysni për trazira dhe përplasje kompetencash kushtetuese mes Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe qeverisë.
Në shkurt 2019 opozita e kryesuar nga Partia Demokratike (43) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (19) hoqi dorë nga 62 mandatet parlamentare.
Vendimi ishte formë presioni ndaj qeverisë socialiste, që ajo ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, të përgjithshme dhe vendore. Opozita kërkonte “pastrimin e institucioneve të kapura nga marrëdhënia e qeverisë me krimin”.
Në këtë kohë në gazetën gjermane “Bild” u botuan përgjime të rrjedhura nga hetimet e parregullsive të zgjedhjeve të vitit 2017 (Dosja 339) dhe zgjedhjeve të parakohshme vendore në Dibër të vitit 2016 (Dosja 184).
Opozita ashpërsoi retorikën duke akuzuar rëndë qeverinë për manipulime të zgjedhjeve në bashkëpunim me disa banda. Ajo organizoi protesta, por shumica socialiste nuk e lëshoi qeverinë.
Paralelisht 40 kandidatë të listave të opozitës për zgjedhjet e vitit 2017 shkelën vendimin për “djegien e mandateve” dhe u betuan si deputetë zëvendësues, – deri më 25 prill 2021 parlamenti mbeti me 122 nga 140 përfaqësues.
Disa organizuan “opozitë të re”, të tjerë “u kthyen numra” për shumicën socialiste. Kjo relativizoi lëvizjen jashtë-parlamentare të opozitës. Asaj iu mohuan përfaqësuesit në KQZ dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) pasi ligji thotë që këto përfaqësi i takojnë partive parlamentare.
Kështu administrata zgjedhore u la e paekuilibruar politikisht. Opozita deklaroi bojkotin e zgjedhjeve vendore me paralajmërimet se “zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë”. Protestat u përshkallëzuan.
Nën këtë dinamikë më 10 qershor Presidenti anuloi datën e zgjedhjeve. Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare. Ai ndezi më shumë përplasjet politike pasi ishte i paprecedentë.
Çështja vijoi me retorikën më të ashpër politike të dhjetëvjeçarit të fundit. Secila palë akuzoi për të inkriminuar palën tjetër. Presidenti nuk kurseu as ndërkombëtarët.
KQZ dhe shumica socialiste e nëpërkëmbën vendimin e Presidentit, i cili vendosi datë tjetër. Ata këmbëngulën dhe i zhvilluan zgjedhjet më 30 qershor, edhe pa opozitën. Arsye kryesore përmendën parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, detyrimin për t’u shërbyer qytetarëve.
Në zgjedhjet e 30 qershorit morën pjesë 36 parti të ndara në dy koalicione “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” (21), e kryesuar nga PS dhe “Shpresa për Ndryshim” (6) e kryesuar nga “Ora e Shqipërisë” – 9 parti të tjera, mes të cilave “Bindja Demokratike” e dalë nga PD, garuan pa koalicione.
Vetëm 22.96% e qytetarëve me të drejtë vote dolën në votime. Prej 811 mijë votave në kuti, 88.3% (716 mijë) shkuan për koalicionin e socialistëve, të cilët morën drejtimin e 60 prej 61 bashkive – Bashkia Finiq u fitua nga partia e minoritetit grek.
Në 31 bashki nuk pati kandidatë të tjerë veç socialistëve. Presidenti nuk i njohu zgjedhjet e 30 qershorit.
Deri në fund të vitit 2021 Presidenti nuk thirri zgjedhje të pjesshme për të paktën 6 bashki, në të cilat kryetarët e zgjedhur u tërhoqën – Vorë, Shkodër, Rrogozhinë, Durrës, Dibër dhe Lushnjë.
Çështja e ligjshmërisë së 30 qershorit mbetet e pazgjidhur. Asnjë nga palët e përfshira – Presidenti, Kuvendi, Qeveria apo partitë në garë, – nuk iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Asaj iu drejtua vetëm Shoqata e Bashkive, e cila kërkoi shpalljen si të paligjshme të zgjedhjeve.
Kërkesa u rrëzua në dhjetor 2021 me arsyen se “Shoqata nuk justifikonte përfshirjen si palë e interesuar” dhe se “Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca të shqyrtojë në tërësi mbi një proces zgjedhor”. Kështu asgjë nuk garanton që 2019-ta të mos përsëritet më.
Kronologjia e përplasjeve kushtetuese për zgjedhjet vendore të vitit 2019:
- 5 nëntor 2018
Presidenti cakton datën 30 qershor 2019 datë zgjedhjesh vendore. Dekreti i tij botohet në Fletoren Zyrtare një ditë më pas.
- 18 shkurt 2019
Pas disa ditësh protesta opozita largohet nga parlamenti duke lëshuar mandatet. Pak ditë më vonë ajo deklaron bojkotin e zgjedhjeve vendore teksa protestat përshkallëzojnë edhe në qytetet e tjera.
- 10 qershor 2019
Presidenti shfuqizon dekretin e datës 5 nëntor duke anuluar datën e zgjedhjeve. Ai e argumenton vendimin se po shkohej drejt trazirave për një “proces fiktiv, pa garë dhe pa alternativa duke cenuar një nga parimet e demokracisë, pluralizmin politik”.
Dekreti i ri botohet në Fletoren Zyrtare një ditë më pas.
- 13 qershor 2019
Shumica socialiste miraton në Kuvend rezolutë kundër vendimit të Presidentit. Ata e cilësojnë dekretin e dytë “absolutisht të pavlefshëm” dhe “në kundërshtim me Kushtetutën”.
- 13 qershor 2019
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konsideron gjithashtu “absolutisht të pavlefshëm” dekretin e dytë të Presidentit dhe vijon me organizimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit.
- 24 qershor 2019
Kolegji Zgjedhor gjykon ankesën e partisë “Uniteti Kombëtar” për çregjistrim nga zgjedhjet. Ai vendos edhe mbi dekretin e Presidentit, që nuk ishte objekt për shqyrtim.
- 27 qershor 2019
Presidenti dekreton datën 13 shtator 2019 si datë të re për zgjedhjet vendore, por ky dekret nuk publikohet në Fletoren Zyrtare.
- 30 qershor 2019
Shumica socialiste organizon dhe fiton zgjedhjet vendore pasi në shumicën e tyre ka vetëm kandidatë të saj në garë.
- 18 korrik 2019
Shoqata e Bashkive i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet pasi cenuan parimin themelor kushtetues të pluralizmit politik.
Kërkesa përfshin edhe pretendimin për cenim të procesit përmes pjesëmarrjes së “Bindjes Demokratike”. Kjo u përfshi në zgjedhje nga KQZ disa ditë përpara se të regjistrohej si parti me vendim të formës së prerë në gjykatë.
- 26 maj 2021
Pas formimit të kuorumit të nevojshëm, – për shkak të reformës në drejtësi – Gjykata Kushtetuese vendos të marrë në shqyrtim kërkesën e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
- 9 korrik 2021
Gjykata Kushtetuese i kërkon opinion për juridiksionin e shqyrtimit të kushtetutshmërisë së zgjedhjeve Komisionit të Venecias.
- 18 tetor 2021
Komisioni i Venecias jep opinionin e saj duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të ketë në kompetencë gjykimin e një procesi zgjedhor, por kjo nuk e pengon të kontrollojë legjislacionin zgjedhor.
- 4 dhjetor 2021
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive. Ajo shprehet se shqyrtimi i kushtetutshmërisë së një procesi zgjedhor “është jashtë juridiksionit të saj”.
Për çështjen e “Bindjes Demokratike” gjykata thotë se kërkesa nuk mund të pranohet nga një shoqatë, por vetëm nëse vjen “nga Presidenti, Kryeministri, Avokati i Popullit, Kryetari i KLSH-së apo 1/5-ta e Kuvendit”. Përveç kësaj, Gjykata thotë se “pretendimet janë me natyrë ligjore dhe jo kushtetuese”.
*Shkrimi nuk përfaqëson qëndrimet e kompanisë TIBO, por vetëm të autorëve Artenis Peka dhe Erblin Vukaj.
Lexoni gjithashtu: