
Sa pasuri kanë familjet shqiptare
Specialistët e Bankës së Shqipërisë kanë kryer një vrojtim për pasurinë e familjeve shqiptare. Vrojtimi i pasurisë është bërë duke e ndarë atë në dy grupe kryesore: aktivet reale, ku përfshihen pasuritë e paluajtshme, bizneset, automjetet, sendet e çmuara, etj dhe aktivet financiare, ku përfshihen llogari rrjedhëse, depozita, bono thesari dhe obligacione, fonde pensioni, si dhe para të dhëna borxh. Vlera mesatare e aktiveve për familje rezulton rreth 8.5 milionë lekë. Në masën dërrmuese, pasuria e familjeve shqiptare përbëhet nga aktivet reale dhe kryesisht pasuritë e paluajtshme. Aktivet reale përbëjnë 93% të bilancit të familjeve, ndërsa specifikisht pasuritë e paluajtshme, kryesisht banesat. Pasuritë e patundshme në përgjithësi dhe banesa kryesore e familjes në veçanti, përbëjnë 80% të totalit të portofolit të pasurisë totale të familjes. 93% e familjeve shqiptare janë pronarë, të plotë ose të pjesshëm, të banesës së tyre kryesore. Aktivet e tjera të rëndësishme janë automjetet, të cilat zotërohen nga 40% e familjeve, ndjekur nga pasuritë e tjera të patundshme, të cilat zotërohen nga 36% e familjeve. Ndër pasuritë e tera të paluajtshme (veç banesës kryesore), 71% e familjeve zotërojnë një tokë, 12% e familjeve një fermë bujqësore, ndërsa 17% e tyre zotërojnë një formë tjetër pasurie të patundshme Aktivet që zotërohen më pak nga familjet janë bizneset familjare, që zotërohet nga 13% e familjeve, si dhe sendet me vlerë, që zotërohen nga 12% e familjeve. Për sa u përket aktiveve financiare, ato përbëjnë mesatarisht rreth 7% të pasurisë së familjeve shqiptare. Të dhënat mbi normën e zotërimit të aktiveve financiare tregojnë që 16% e familjeve kanë të paktën një aktiv financiar, duke dëshmuar për një përfshirje të ulët financiare të familjeve. Parë sipas kategorive të ndryshme, vërehet se 10% e familjeve kanë llogari rrjedhëse, 7% e familjeve kanë depozitë, 5% e familjeve u kanë dhënë para borxh të tjerëve, dhe një pjesë shumë e vogël e familjeve kanë fonde pensioni dhe letra me vlerë të qeverisë.