Rusia shkurton sërish furnizimet me gaz në Evropë, fajëson BE-në

Rrjedhat përmes gazsjellësit Nord Stream 1 ranë në rreth një të pestën e kapacitetit normal këtë të mërkurë.

Kremlini ka mohuar të gjitha pretendimet se është një veprim i qëllimshëm për të ushtruar presion mbi Evropën.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se çdo problem ishte faji i BE-së.

“Gazprom furnizon aq sa duhet dhe është e mundur. Ne e dimë që tani mundësitë teknike për pompimin e gazit janë zvogëluar, janë ngushtuar. Pse? Sepse procesi i mirëmbajtjes për njësi të ndryshme është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të kufizimeve dhe sanksioneve që Evropa, përkatësisht Bashkimi Evropian, ka prezantuar.”

Një ditë më parë, vendet e BE-së miratuan një plan urgjent për të frenuar përdorimin e gazit.

Ai vendos një reduktim të synuar prej 15% nga tani deri në mars, megjithëse plani është vullnetar dhe i mbushur me përjashtime.

Pa veprim, politikëbërësit kanë frikë se vendet nuk do të jenë në gjendje të mbushin rezervuarët e gazit dhe t’i mbajnë njerëzit ngrohtë në dimër.

Firmat gjermane kanë paralajmëruar tashmë se mund të mos kenë zgjidhje tjetër veçse të shkurtojnë prodhimin.

Disa janë ankuar për miratimin e ngadaltë për kalimin nga gazi në karburante të tjera më ndotëse.

Të mërkurën, mbikëqyrësi i energjisë së BE-së tha se kompanitë duhet të ankohen më pak dhe të bëjnë më shumë për të treguar se si do të kontribuojnë në kursimin e energjisë.

 

*Përkthyer dhe përshtatur nga TiboNews