Rusia premton përforcime ndaj sulmeve kibernetike

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se numri i sulmeve kibernetike ndaj Rusisë nga “strukturat shtetërore” të huaja ishte rritur disa herë.

Ai bëri thirrje që Rusia duhet të forcojë mbrojtjen e saj kibernetike duke reduktuar përdorimin e softuerëve dhe pajisjeve të huaja.

Faqet e internetit të shumë kompanive shtetërore dhe faqeve të lajmeve kanë pësuar përpjekje hakerimi që kur Rusia dërgoi forcat e saj të armatosura në Ukrainë më 24 shkurt.

“Sulme të rënda janë nisur kundër faqeve zyrtare të agjencive qeveritare. Përpjekjet për të depërtuar ilegalisht në rrjetet e korporatave të kompanive kryesore ruse janë gjithashtu shumë më të shpeshta”, tha Putin.

Në takimin me Këshillin e Sigurimit Rusia u zotua të përmirësonte sigurinë e informacionit në sektorët kyç dhe të kalojë në përdorimin e teknologjisë dhe pajisjeve vendase.

Moska ka kërkuar prej kohësh të përmirësojë infrastrukturën e saj vendase të internetit, madje duke u shkëputur nga interneti global gjatë testeve verën e kaluar.

Megjithatë, breshëria e paprecedentë e sanksioneve perëndimore të vendosura në përgjigje të fushatës ushtarake të Moskës në Ukrainë ka rritur presionin për t’i bërë sistemet ruse të IT-së më elastike.