
Rusia përjashtohet nga video lojëra “FIFA 22”
Prodhuesi i lojërave Electronic Arts do të heqë kombëtaren ruse dhe të gjitha ekipet e tjera ruse nga FiFA 22 dhe lojërat përkatëse.
Vendimi vjen për t`u “solidarizuar me popullin ukrainas”, shkroi kompania në Twitter.
Ukraina i ka kërkuar industrisë së video lojërave që të ndërmarrë sanksione më të shumta.
Zëvendëskryeministri i Ukrainës Mykhailo Fedorov u bëri thirrje të gjitha kompanive të lojërave dhe platformave E sport të bllokojnë llogaritë ruse dhe bjelloruse.
FIFA dhe UEFA thanë se janë në proces për të hequr kombëtaren ruse dhe të gjitha klubet ruse nga produktet e EA Sports FIFA, FIFA Mobile dhe FIFA online.
Nuk ka ende asnjë përgjigje nga markat e njohura teknologjike Microsoft dhe Sony, të cilat zotërojnë përkatësisht Xbox dhe Playstation, ndaj kërkesës së ministrit Federov për t`u larguar nga tregu rus.
Ndërsa, aplikacioni muzikor Spotify ka mbyllur zyrën në Rusi.
Koncertet, publikimet e filmave dhe ngjarjet sportive janë anuluar tashmë në Rusi dhe ishte vetëm çështje kohe që industria e lojërave t`u bashkohej në sanksione kundër Moskës.