
Rusia paralajmëron uljen e prodhimit të naftës pasi G7 vendosi çmim tavan
Cisternat që ngarkojnë naftë nga portet ruse u përballen me linja të pasigurta tregtare këtë javë, pasi perëndimi ka vendosur t’u aplikojë një tarifë tavan ngarkesave nga Moska.
Grupi i vendeve më të zhvilluara industriale të botës, si bashkësia e G7-ës, Bashkimi Europian dhe Australia kanë imponuar një çmim tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën e transportuar nga deti.
Transportuesit do të jenë në gjendje të çojnë naftën ruse në vendet e treta duke përdorur cisterna të G7 ose të BE-së dhe kompanitë e sigurimeve vetëm nëse çmimi është nën këtë nivel.
Kjo mund ta bëjë të vështirë për Moskën që të shesë naftën e saj për një çmim më të lartë.
Kryeqytetet perëndimore shpresojnë se kjo do të kufizojë aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën e saj në Ukrainë.
Megjithatë, Rusia po shfaqet sfiduese. Në fundjavë, ajo tha se nuk do të shesë naftë jashtë territorit të saj nëse i nënshtrohet kufizimeve në çmime, duke paralajmëruar kështu për ulje të prodhimit.
Rusia pritet të nxjerrë një dekret që, në fakt, do të ndalojë eksportin tek kompanitë dhe vendet që zbatojnë këtë politikë të G7-ës.
Ekspertët thonë se Moska ndoshta mund të vijojë të mbështetet te ndihma e Kinës, pasi ka pasur raportime se Pekini ka premtuar të ruajë bashkëpunimin e kahershëm për furnizimet me energji.
BE dhe G7 do të rishikojnë nivelin e kufirit çdo dy muaj, duke filluar nga mesi i janarit.
Një kufi i ngjashëm për produktet e naftës do të hyjë në fuqi në fillim të shkurtit.
*Tibo News