
Rusia mund të shkëputet nga interneti botëror, shkak lufta në Ukrainë
Lufta në Ukrainë e ka vënë botën përballë sfidave të paprecedenta.
Ato kanë qenë kryesisht politike dhe ekonomike, por kjo pritet të mos ndalet këtu, pasi në diskutim duket të jetë edhe komunikimi dhe lidhja në internet.
Gjigantët e teknologjisë si Meta, Google dhe Apple, të cilët e kanë cilësuar veten si neutrale, tani po valëvisin hapur flamujt e tyre politikë duke ndaluar aktivitetet në Rusi si kundërpërgjigje të pushtimit të Ukrainës.
Për përdoruesit rusë interneti po ndryshon drastikisht. Twitter dhe Facebook janë bllokuar.
TikTok nuk i lejon më të postojnë ndërsa policia po ua kontrollon telefonët për aktivitetet që kryejnë në rrjet.
Tanimë pyetje serioze janë ngritur nëse konflikti në Ukrainë mund të ndryshojë jo vetëm gjeopolitikën, por edhe lidhjen botërore të internetit.
Ukraina ka bërë hapur thirrje që Rusia të shkëputet nga lidhja.
Zyrtarë ukrainas u kanë kërkuar kompanive ndërkombëtare të internetit të mos bëjnë më biznes me rusët dhe të ndërprejnë rrjetin me ta.
Korporata Ndërkombëtare e Internetit ICANN u është përgjigjur negativisht duke refuzuar bllokimin. Ata kanë thënë se motoja e tyre është “Një botë, një lidhje interneti” dhe gjithmonë mbajnë qasje neutrale në konflikte ushtarake.
Zyrtarë të ICANN thonë se ndërhyrja në protokollet kryesore të infrastrukturës së internetit do të kishte pasoja të rrezikshme dhe afatgjata sidomos në sigurinë dhe privatësinë e përdoruesve.
Por përballë kësaj trysnie vetë Rusia po duket e interesuar për t’u shkëputur nga interneti botëror, një lëvizje e ngjashme me atë të Indisë apo Kinës që rëndomtë njihet si “The Great Firewall of China”. Në vende të tilla të gjitha përmbajtjet apo lidhjet në rrjet kontrollohen për informacionet që qarkullojnë duke kufizuar komunikimin te autoritetet shtetërore .
Në këto vende lejohen lidhjet vetëm me kompjuterë që kanë rrjetin bazë fizikisht në zonat lokale, kjo për lehtësi kontrolli dhe bllokimi.
Rusia e ka eksperimentuar një qasje të tillë në vitin 2019 përmes një sistemi që quhet Runet.
Testet thuhet se kanë rezultuar të suksesshme dhe tani ku informacioni dhe narrativa e luftës kërkohet të jetë totalisht në drejtimin e Kremlinit po hamendësohet se Moska do të kalojë te ky rrjet.
Rusia atëherë e ka mohuar se do ta ndërpresë lidhjen në rrjet, duke thënë se testi kishte të bënte me mbrojtjen e faqeve të internetit ruse nga sulmet kibernetike të huaja, por situata duket se po kthehet për të kundërtën.