
Rusia kërcënon për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO
Finlanda dhe Suedia do të bëhen “objektiva legjitime” të masave hakmarrëse të Rusisë pasi të bëhen vende anëtare të NATO-s, tha ambasadori rus në Stokholm, duke sjellë përsëri në plan të parë retorikën kërcënuese të Moskës.
“Pasi Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen” Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, “gjatësia totale e kufirit të Rusisë me NATO-n pothuajse do të dyfishohet,” tha ambasadori Viktor Tatarintsev.
“Nëse dikush ende mendon se kjo në një mënyrë ose në një tjetër do të përmirësojë sigurinë e Evropës, të jetë i sigurt se anëtarët e rinj të aleancës armiqësore do të bëhen objektiva legjitime të masave hakmarrëse ruse, përfshirë masat e natyrës ushtarake”, shtoi diplomati rus.
Paralajmërimi erdhi pasi Moska u duk se kishte lënë mënjanë kërcënimet ndaj kryeqyteteve të dy vendeve nordike në muajt e fundit pas vendimit të tyre në maj 2022 për të vazhduar me aplikimet për t’u bashkuar me aleancën Atlantike.