Rusia akuzon Ukrainën se ka sulmuar selinë e flotës së saj në Detin e Zi

Rusia akuzoi Ukrainën këtë të diele për një sulm ndaj selisë së flotës së saj në Detin e Zi, që ndodhet në gadishullin e aneksuar të Krimesë, dhe autoritetet e Mikolaiv, në jug të Ukrainës, pohuan se qyteti vuajti bombardimin më të keq të gjithë konfliktit.

Sipas autoriteteve pro-ruse në gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014, një dron u ul në oborrin e selisë së flotës dhe shpërthimi plagosi gjashtë anëtarë të stafit.

Sulmi detyroi të anulojë në qytet festimet vjetore të ushtrisë ruse, por ato u zhvilluan në Shën Petersburg, në Rusinë perëndimore, ku u mbajt një paradë ushtarake, në prani të presidentit Vladimir Putin.

Atje, Putin siguroi se flota ruse do të marrë një raketë të re hipersonike në “muajt e ardhshëm” dhe nënshkroi një doktrinë të re detare për të përforcuar pozicionet ruse në Arktik.

Është hera e parë që autoritetet ruse raportojnë një sulm të tillë që nga fillimi i ofensivës së tyre në Ukrainë më 24 shkurt.

 

“Provokim i qëllimshëm”

Një zëdhënës i administratës rajonale të Odessa mohoi se Ukraina ishte pas sulmit, duke e quajtur akuzën ruse “provokim të qëllimshëm”.

Ndërkohë, autoritetet në Mikolaiv, në jug të Ukrainës, denoncuan bombardimet e përhapura ruse gjatë natës të dielën, që la të paktën dy civilë të vdekur dhe “shpërthime të fuqishme” gjatë natës, sipas kryetarit të qytetit, Oleksandr Senkevich.

“Mikolaiv pësoi një bombardim masiv sot. Ndoshta më i forti deri tani,” kishte shkruar ai në Telegram herët të dielën.

Sipas autoriteteve ukrainase, viktimat janë Oleksiy Vadaturskyi, pronar i kompanisë kryesore ukrainase të logjistikës së grurit, dhe gruaja e tij, Raissa Vadaturska. Të dy ishin në shtëpinë e tyre në momentin e bombardimit.

 

*TiboNews