
Rusi, hetime penale ndaj kritikëve të Kremlinit
Autoritetet ruse njoftuan të hënën disa hetime penale paralele kundër një aktori të famshëm, që ka kritikuar luftën në Ukrainë dhe ndaj një filantropi që mbështet opozitën ruse.
Këto janë ndër masat shtypëse më të fundit të autoriteteve ndaj disidentëve.
Komisioni Hetimor i Rusisë njoftoi në një deklaratë se drejtuesi i tij, Alexander Bastrykin, ka urdhëruar fillimin e një hetimi penal ndaj aktorit rus të filmave dhe teatrit, Artur Smolyaninov, i cili u largua nga vendi pasi forcat ruse sulmuan Ukrainën dhe vazhdimisht ka folur kundër luftës.
Sipas njoftimit, zoti Smolyaninov “ka bërë një seri deklaratash kundër Rusisë gjatë një interviste me një media perëndimore”. Komisioni Hetimor nuk qartësoi se cilat prej veprimeve të zotit Smolyaninov përbëjnë shkelje penale, si dhe nuk qartësoi se çfarë akuzash do të ngrihen ndaj tij.
Intervista më e fundit e zotit Smolyaninov ngjalli zemëratën e mbështetësve të Kremlinit. Aktori i tha gazetës Novaya Gazeta Europe se nëse do t’i duhej të merrte pjesë në luftë, ai do të luftonte “në krahun e Ukrainës”. Ai tha se “për mua, kjo është në anën e vëllezërve të mi, që u sulmuan nga vëllezërit e mi të tjerë”.