Rrjeti 5G mund të shkaktojë krizën më të madhe të linjave ajrore në SHBA

Shefat ekzekutivë të transportuesve kryesorë ajrorë të pasagjerëve dhe ngarkesave në SHBA kanë paralajmëruar për një krizë të afërt katastrofike  të aviacionit. Paralajmërimi i  tyre vjen disa orë pasi AT&T (T.N) dhe Verizon (VZ.N) njoftuan se do të instalonin shërbimin e ri 5G.

Linjat ajrore paralajmëruan se shërbimi i ri C-Band 5G i vendosur të startojë të mërkurën mund t’i bëjë të papërdorshëm një numër të konsiderueshëm avionësh dhe kjo mund të bllokojë mijëra amerikanë që ndodhen jashtë shtetit si dhe të shkaktojë kaos për fluturimet në SHBA.

“Nëse qendrat tona kryesore nuk lejohen të fluturojnë, shumica e udhëtarëve dhe sektori i transporteve do të ndalohet,” kanë thënë shefat ekzekutivë të American Airlines, Delta Air Lines, United Airlines dhe Southwest Airlines të cilët kanë shkruar edhe një letër sqaruese.

Administrata Federale e Aviacionit ka paralajmëruar se ndërhyrja e mundshme mund të ndikojë avionët në fluturim. Kjo do të thotë se brenda një dite më shumë se 1100 fluturime dhe 100.000 pasagjerë do t’i nënshtroheshin anulimeve ose vonesave.

Linjat ajrore kanë nisur që mbrëmjen e të hënës të shqyrtojnë nëse do fillojnë anulimin e disa fluturimeve ndërkombëtare që janë planifikuar të mbërrijnë në SHBA këtë të mërkurë.

Me kufizimet e propozuara në aeroportet e përzgjedhura, industria e transportit po përgatitet për disa ndërprerje të shërbimit.

Letra nga shefat ekzekutivë ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë, për kreun e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Brian Deese, Sekretarit të Transportit Pete Buttigieg, Administratorit të FAA Steve Dickson dhe kryetares së Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Jessica Rosenworcel.

“Veprimi është urgjent, linjat ajrore të shtuara në letrën e nënshkruar janë UPS Airlines (UPS.N), Alaska Air, Atlas Air, JetBlue Airways dhe FedEx Express. Ta themi troç, tregtia e kombit do të ndalet.”

AT&T dhe Verizon, të cilat fituan pothuajse gjithë spektrin C-Band në një ankand prej 80 miliardë dollarësh vitin e kaluar, ranë dakord që më 3 janar të instalonin rrjetin në rreth 50 aeroporte për të reduktuar rreziqet e ndërhyrjeve dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë për të ulur ndërhyrjet e mundshme për gjashtë muaj.

Ata ranë dakord gjithashtu të shtyjnë vendosjen për dy javë deri të mërkurën, duke shmangur përkohësisht një bllokim të sigurisë së aviacionit, pasi më parë vonuan shërbimin me 30 ditë.

Verizon dhe AT&T argumentojnë se C-Band 5G është vendosur me sukses në rreth 40 vende të tjera pa probleme të ndërhyrjes së aviacionit.

Linjat ajrore kërkojnë që 5G të zbatohet kudo në vend, përveç përafërsisht 2 milje të pistave të aeroportit, në disa aeroporte kyçe.

“Nevojitet ndërhyrja e menjëhershme për të shmangur ndërprerje të konsiderueshme operacionale për pasagjerët ajrorë, transportuesit, zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjen e furnizimeve të nevojshme mjekësore,” thonë drejtuesit e kompanive ajrore.

Një çështje shqetësuese është nëse avionët Boeing 777 nuk do jenë në gjendje të ulen në disa aeroporte kyçe të SHBA-ve pas fillimit të shërbimit 5G, si dhe disa avionë mallrash Boeing.