Rrjedhjet e gazit në Nord Stream mund të jenë të qëllimshme

Danimarka beson se veprimet e qëllimshme shkaktuan rrjedhje të mëdha në dy tubacione të gazit natyror që kalonin nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani dhe sizmologët thanë se shpërthimet e fuqishme shkaktuan rrjedhje.

Udhëheqësit dhe ekspertët evropianë vunë në dukje një sabotim të mundshëm në mes të bllokimit të energjisë me Rusinë të provokuar nga lufta në Ukrainë. Edhe pse i mbushur me gaz, asnjëri prej tubacioneve nuk po e furnizon Evropën.

“Është vlerësim i qartë i autoriteteve se këto janë veprime të qëllimshme, jo aksidente”, tha të martën kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Por ajo shtoi se “nuk ka asnjë informacion që tregon se kush mund të qëndrojë pas tij”. Frederiksen hodhi poshtë sugjerimin se incidenti ishte një sulm ndaj Danimarkës, duke thënë se rrjedhjet ndodhën në ujërat ndërkombëtare.

Incidenti la në hije inaugurimin e një tubacioni të shumëpritur që do të sjellë gaz norvegjez në Poloni për rritur pavarësinë energjetike të kontinentit nga Moska.

Shpërthimi i parë u regjistrua herët të hënën në juglindje të ishullit danez të Bornholm, tha Bjorn Lund, drejtor i Rrjetit Kombëtar Sizmik Suedez. Një shpërthim i dytë, më i fortë në verilindje të ishullit atë natë ishte i barabartë me një tërmet me magnitudë 2.3 ballë. Stacionet sizmike në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë gjithashtu regjistruan shpërthimet.

Të mërkurën, ministri danez i mbrojtjes Morten Bødskov do të udhëtojë në Bruksel për të diskutuar rrjedhjet me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës Jeppe Kofod tha se Suedia, Gjermania dhe Polonia janë mbajtur të informuar dhe se do të komunikonin edhe me Rusinë.

Ai tha se shërbimi i inteligjencës së jashtme të Danimarkës nuk pa ndonjë kërcënim të shtuar ushtarak kundër Danimarkës pas tre rrjedhjeve në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2.

Ministri danez i Energjisë, Dan Jørgensen tha se “nuk mund të themi se sa do të vazhdojë rrjedhja” pasi gazi nuk është mbyllur dhe nuk dihet se kur do mbyllet.

Operatori gjerman i tubacioneve, Nord Stream AG, tha se po përgatit një studim për të vlerësuar dëmin.

“Aktualisht, nuk është e mundur të vlerësohet një afat kohor për rivendosjen e infrastrukturës së transportit të gazit”, thuhet në një deklaratë të kompanisë. “Shkaqet e ngjarjes do të zbardhen në përfundim të hetimeve”.

Në Suedi, kryeministrja në detyrë Magdalena Andersson tha se “është ndoshta një rast sabotimi”, por jo një sulm ndaj Suedisë.

Ministrja e Jashtme Ann Linde tha se Suedia nuk përjashton asnjë skenar dhe nuk do të spekulojnë për motivin apo autorin.

 

*TiboNews