
Rritje e çmimit të naftës, qeveria e Kosovës subvencionon naftën për fermerët
Qeveria e Kosovës vendos që të subvencionojë naftën për fermerët dhe bujqit me rreth 5 milionë euro.
Subvencionimi do të bëhet në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë në proporcion me hektarët të poseduar të tokës së punuar.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, për produkte të tilla strategjike, bujqit përveç naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror.
“Për grurin përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, do të bëhet subvencionim prej 0.3 centë për dorëzim në mulli të rendimentit”, tha Kurti.
Derivatet e naftës janë duke u shtrenjtuar vazhdimisht që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Kryeministri Kurti dhe ministri Peci kanë siguruar qytetarët e Kosovës se do të ketë mjaftueshëm miell dhe nuk kanë vend për shqetësim.
“Ka rezerva dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj qytetarët që të ndihen të sigurt”, tha Kurti.
Ai siguroi qytetarët se në këtë kohë nuk do të ketë as shtrenjtim të miellit.
Kurti tha se do të angazhohen më shumë për një inspektim dhe mbikëqyrje të tregut në rastet e keqpërdorimeve që mund të bëhen me çmime.
Në Kosovë një litër naftë është shitur për 1.66 euro, ndërkaq benzina deri në 1.58 euro. Në vijim nafta mund të shkojë deri në 1 euro e 80 centë.