Rritja e turizmit, gati projekti për përgatitjen e punonjësve të kualifikuar

Rritja e shpejtë e sektorit të turizmit ka shtuar kërkesën për staf të kualifikuar.

Bizneset kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për presionin që ndjejnë në ofrimin e një shërbimi cilësor në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore. Një studim i realizuar së fundmi mbi profesionet dhe aftësitë e reja profesionale të kërkuara në industrinë e turizmit në Shqipëri nxori në pah nevojën për një kualifikim të ri në pozicionin “Menaxher i Mesëm në Hoteleri”.

Në linjë me këtë nevojë të tregut, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) , me mbështetjen e projektit ”Aftësi për Punë“ (S4J), po punon për të hartuar një program të ri, të nivelit të V-të, njohur si “program pas të mesmes”, që do të jetë pjesë e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK). Takimi i parë i grupit të punës për hartimin e standardit të profesionit dhe funksioneve kryesore u organizua më 11 mars 2024, me pjesëmarrjen ekspertëve të përzgjedhur nga industria dhe mësuesve me përvojë nga ofruesit e AFP-së.

Ejvis Gishti, Drejtore e Përgjithshme e AKAFPK nënvizoi gjatë fjalës së saj se ofrimi i kualifikimeve profesionale në përputhje me ndryshimet ekonomike dhe sociale, si dhe nevojave të tregut të punës është pjesë e vizionit për AFP-në.

“Projekti “Aftësi për Punë” është prej vitesh një partneri i rëndësishëm i agjencisë për të mundësuar identifikimin dhe hartimin e kualifikimeve të reja” nënvizoi ajo.

Për zv. menaxheren e projektit “Aftësi për Punë”, Znj. Erka Çaro tranzicioni i shpejtë social-ekonomik kërkon s reagimin e menjëhershëm të institucioneve ofruese të arsimit dhe formimit profesional për të mundësuar ofertë mësimore relevante në raport me kërkesat e tregut të punës.

“Në këtë prizëm, projekti “Aftësi për Punë”, frymëzuar nga modeli zviceran, prej disa vitesh është angazhuar të kontribuojë në diversifikimin e ofertës mësimore dhe lëvrimin e saj me përfshirjen e ngushtë të sektorit privat” theksoi Çaro.

Shkolla Tregtare në Vlorë dhe Shkolla “Hamdi Bushati” në Shkodër janë dy institucionet e para të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) që do ta lëvrojnë këtë program studimi, si pjesë e angazhimit për të mundësuar një ofertë të përputhur me nevojat e tregut të punës. Programi do të ofrohet në partneritet me biznesin lokal, në formën e trajnimit bashkëpunues. Më herët, për nivelin e V-të të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, projekti “S4J” ka kontribuar në hartimin e standardit të profesionit dhe standardit të kualifikimit të ri “Ndërmjetësim i Pasurive të Paluajtshme” dhe përditësimin e “Menaxhim Diagnostikim në Autoservis”.

Kualifikimi “Menaxher i Mesëm në Hoteleri”, niveli i V i KSHK, si pjesë e Katalogut Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale pritet të kontribuojë në aftësimin e të rinjve dhe të punëmarrësve që synojnë të përmirësojnë nivelin e tyre të arsimimit për të arritur një pozicion më të mirë në sektorin e hotelerisë. Në përfundim të programit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatën profesionale dhe suplementin përkatës të nivelit./Monitor