Rritja e shpejtë e nivelit të detit deri në vitin 2050…

Rritja e nivelit të detit po përshpejtohet dhe brigjet mund të jenë shumë ndryshe deri në vitin 2050, sipas një raporti të Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.

Raporti parashikoi 25-30 cm rritje të nivelit të detit nga mesi i këtij shekullit, megjithëse parashikimet për rajone dhe komunitete të veçanta ndryshojnë për shkak të ndryshimeve në lartësinë e tokës.

Ngrohja globale, e cila nxitet nga përdorimi i lëndëve djegëse, është shkaku kryesor i rritjes së nivelit të detit. Shkencëtarët kanë vëzhguar trendin për dekada të tëra pasi niveli i ujit rritet si pasojë e shkrirjes së akullnajave. Temperaturat e larta janë alarmante dhe shtresat e akullit janë zvogëluar.

Raportet e mëparshme kanë ofruar një gamë të gjerë se sa do të ngrihen detet, por shkenca tani është më specifike dhe mund të ofrojë një pamje më të sigurt se si do të duken brigjet e botës në disa dekada, pavarësisht nga emetimet e ardhshme.

“2050 është në fenerët tanë dhe ne mund të flasim me besim dhe qartësi për atë që do të ndodhë,” ka thënë William Sweet, një oqeanograf i NOAA (National Oceanic and Atmospheric Administration, SHBA).

Rritja e deteve mund të pengojë ekonomitë, të shkaktojë përmbytje dramatike, të përmbysë zonat e ujërave të ëmbla dhe të shkaktojë një sërë problemesh të tjera. Vetëm në SHBA, 40% e popullsisë jeton në brigjet oqeanike.

“Një ngjarje e vetme përmbytjeje, ajo që tani ndodh mesatarisht çdo katër deri në pesë vjet në komunitetet bregdetare në juglindje të Shteteve të Bashkuara, do të ndodhë katër deri në pesë herë çdo vit,” shkruhej në raport.

Të ashtuquajturat përmbytje të ditëve me diell, kur brigjet përmbyten jo për shkak të stuhive, por për shkak të baticave të larta, parashikohet të rriten gjithashtu në mënyrë dramatike.