
Rritja e shitjeve të Apple ngjall shpresë në sektorin e teknologjisë
Gjigandi i teknologjisë Apple befasoi tregjet këtë javë duke raportuar të ardhura dhe fitime më të mëdha nga sa pritej.
Kjo u vlerësua si shpresëdhënëse për sektorin e teknologjisë, që për shkak të inflacionit në rang global ka shkurtuar ndjeshëm konsumin.
Nga raportimet e Apple për tremujorin e katërt bie në sy se produkti kryesor që e ka ndihmuar të fitojë të ardhura ka qenë versioni i ri i kompjuterit Mac, ndërsa model i ri i iPhone, nuk është se ka sjellë të ardhurat e pritura.
Në përgjithësi, gjigandi i teknologjisë tha se të ardhurat tremujore u rritën 8% në 90.1 miliardë dollarë, rreth 3 miliardë më shumë sesa parashikimet.
Shitjet e Mac prej 11.5 miliardë dollarësh ishin shumë më të larta se parashikimet e ekspertëve.
Megjithëse shitjet e iPhone nuk ishin aq të mëdha sa priteshin, sipas Shefit Financiar të Apple, Luca Maestri, ato gjithësesi ato shënuan një rekord për muajin e shtatorit.
Të dhënat e Canalys tregojnë se tregu i përgjithshëm global i smartfonëve ra me 9% për tremujorin korrik-shtator, një rënie që ka vijuar pa pushim prej fillimit të këtij viti.
Rezultatet e Apple treguan njëfarë elasticiteti përballë një ekonomie të dobët dhe forcimit të dollarit amerikan, ky i fundit ka përmbysur bilancet e shumë kompanive të teknologjisë.
Në tregun kinez, i cili ka përjetuar një ngadalësim të dukshëm ekonomik, për periudhën korrik-shtator Apple raportoi 15.5 miliardë dollarë shitje, me një rritje prej 1 miliard dollarë.
*Tibo News.