Rritja e çmimeve të imputeve bujqësore detyron fermerët të mos mbjellin grurë

Thatësira është vetëm një nga shqetësimet për kultivuesit e grurit këtë verë. Anë e mbanë botës fermerët po përballen me kosto të shtuara të plehrave dhe imputeve bujqësore. Pasiguria politike mbi rregullat e eksporteve dhe importeve janë një tjetër situatë shqetësuese teksa kërkesa për grurë është shtuar tejmase.

Në këtë prizëm fermerë të ndryshëm po zgjedhin të mbjellin sojë në vend të grurit. Kjo situatë po vihet re sidomos në Argjentinë, vendi i gjashtë me më shumë eksporte gruri në botë.

Kjo prirje është një lajm i keq për tregjet globale të drithërave që ende nuk është stabilizuar pas luhatjeve të ardhura nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë. Dy shtetet në fjalë janë dy eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë.

Kjo ka bërë që kërkesa të mbulohet nga shtetet e tjera dhe për rrjedhojë çmimet të rriten. Mirëpo këto shtete po hasin vështirësi të mbulojnë nevojat kjo edhe pasi imputet kryesore kanë pësuar rritje të çmimeve.

Ukraina dhe Rusia, përveçse prodhuese të mëdha të grurit, janë gjithashtu edhe ndër eksportueset kryesore të plehrave. Pas nisjes së luftës plehrat kimike kanë pësuar rritje të çmimeve.

Fosfori për shembull ka pësuar deri trefishim të çmimit nga 550 dollarë për ton, në 1500 dollarë. Shqetësim për fermerët duket të jetë edhe ndërhyrja e qeverive, ku autoritetet janë më shumë të prirura për të frenuar inflacionin dhe jo pasojat e rritjeve zinxhirë të lëndëve të para.