Rritet sërish çmimi i naftës dhe benzinës

Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të mërkurë çmimin e ri të naftës, i cili do të pësojë rritje në dy ditët e ardhshme, duke shkuar në 233 lekë për litër, ndërsa çmimi i benzinës do të jetë 218 lekë për litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë 233 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 227 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 të jetë 218 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 208 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 93 lekë/litri me pakicë për automjetet, duke mbetur i pandryshueshëm. Këto çmime reflektojnë rritjen në bursë të naftës dhe benzinës, ku me konkretisht: nga data 16- 22 mars çmimi i naftës u rrit me 231 usd/ton dhe i benzinës me 113 usd/ton për të njëjtën periudhë.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të jenë të vlefshme për periudhën 23-25 mars 2022, pas kësaj bordi do të mblidhet të premten datë 25 Mars 2022, për të bërë me dije pasqyrimin e çmimeve të shitjes.