Rritet sërish çmimi i energjisë në bursë, Shqipëria e ekspozuar ndaj riskut

Çmimi i energjisë në bursën hungareze, që vendi ynë ka për referencë, ka kërcyer sërish në nivele të larta mbi 400 euro/MWh. Rritja e çmimeve në bursë lidhet kryesisht me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe frikën e ndërprerjes së plotë të furnizimit me gaz nga Rusia në Europë. Ndërkohë që mirëmbajtja e termocentraleve është një tjetër arsye pse prodhimi i energjisë ka qenë më i ulët duke sjellë më pak sasi të disponueshme në treg. Rritja e çmimeve në bursa pritet të ekspozojë vendin ndaj një kostoje të lartë të blerjes së energjisë që deri në fund të majit ishte më shumë se 145 milionë euro.

Kjo faturë pritet që deri në fund të vitit të rritet ndjeshëm duke qenë se kushtet hidrike në vend vijojnë të mbeten problematike.