
Rritet presioni në Ukrainë, Rusia ngre helikopterët në kufi
Ajo që është ndoshta kriza më intensive e sigurisë në Europë që nga fundi i Luftës së Ftohtë duket se po i afrohet kulmit. Uashingtoni ka paralajmëruar një pushtim rus të mundshëm të Ukrainës që mund të fillojë në çdo moment. Helikopterët ushtarakë rusë janë vënë re teksa fluturojnë brenda kufijve të vendit.
Gjatë një bisede telefonike me presidentin Biden, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi presidentit amerikan të vinte në Kiev për të “kontribuar në de-përshkallëzimin” dhe për të dërguar “një sinjal të fuqishëm”. Aleatët e Ukrainës, përfshirë SHBA-në, reduktuan personelin në ambasadat e tyre dhe i evakuuan gjatë fundjavës.
Ukraina tani është pothuajse e rrethuar nga forcat ruse dhe të mbështetura nga Rusia në një nivel të lartë gatishmërie, me fillimin e stërvitjeve detare ruse në Detin e Zi të dielën. Megjithatë, zyrtarët rusë kanë thënë se nuk kanë ndërmend të pushtojnë Ukrainën.
Kancelari gjerman ka planifikuar të udhëtojë të hënën në Kiev dhe të martën në Moskë.
Ndërsa presidenti finlandez, Sauli Niinisto, ka luajtur një rol jetik si ‘përkthyes’ midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai nuk është optimist për perspektivat për paqen në Ukrainë.