Rritet numri i viktimave nga aksidenti në Greqi: Po gjejmë njerëz të shtypur në vagona

Ka shkuar në 47 numri i viktimave si pasojë e përplasjes së dy trenave në Greqi, ndërsa sipas informacioneve të fundit, herët në mëngjes ekipet e shpëtimit gjetën tre trupa të tjerë brenda vagonit të tretë, por hetimet ende nuk kanë përfunduar. Operacioni i kërkimit ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa sot vijon operacioni mes vagonit të dytë dhe të tretë të trenit.

Ajo që përshkroi zëdhënësi i Zjarrfikësve ishte tronditëse.

“Ka njerëz në gjendje shumë të keqe nga përplasja dhe shtypja e dy vagonave. Ne kemi nxjerrë tashmë dy trupa. Në këtë pikë ku po zhvillohet operacioni ka mjaft persona të cilët për shkak të ngarkesës dhe intensitetit të konfliktit janë në gjendje të keqe ”, tha ai.

Ndërsa shtoi se ky operacion do të vazhdojë për momentin nuk mund të thuhet se sa njerëz janë atje. Të gjithë këta njerëz u gjetën të shtypur nga vagonët dhe pikërisht në ato vagonë ka ndodhur edhe shpërthimi i zjarrit.