Rriten çmimet e patentave, por zgjatet vlefshmëria, Ja ndryshimet e reja nga DPSHTRR

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka njoftuar në lidhje me disa ndryshime, që nga çmimi i patentës dhe kohëzgjatja. Ndryshimet vijnë sipas DPSHTRR nga rishikimet dhe indeksimi për të gjitha shërbimet dhe tarifat që ofron.

Thënë konkretisht, është vendosur për rritje të vlefshmërisë së lejeve të drejtimit, në të njëjtën kohë edhe rritje të kostos. Tarifa e patentës që deri më tani ishte me afat vlefshmërie 10 vite, ishte 3500 lekë dhe tashmë bëhet 4.500 lekë, por afati zgjatet në 15 vite. Sipas Drejtorisë së Transportit, tarifa prej 4.500 lekësh e shpërndarë në vite nga 350 lekë për vit, bëhet 300 lekë për vit.

Një tjetër ndryshim ka prekur edhe tarifën e pajisjes me leje drejtimi për grupmoshën mbi 65 vjeç. Nëse deri më tani kishte afat vlefshmërie 5 vite dhe paguhej 3,500 lekë, tashmë bëhet 2 mijë lekë dhe ka afat 15 vite.

Leja e drejtimit ndërkombëtar me afat vlefshmërie 1 vit, deri më tani ishte 500 lekë. Me ndryshimet e reja bëhet 1 mijë lekë, por ka afat vlefshmërie 3 vite. Sipas përllogaritjeve të Drejtorisë së Transportit Rrugor, tarifa e re prej 1 mijë lekësh, nga 500 lekë për vit që ishte, bëhet 333 lekë për vit.

Me ndryshimet e reja, për qytetarët mundësohet kalimi me leje drejtimi i kategorisë B në D dhe D1, pa qenë i detyrueshëm kalimi në kategorinë C. Pra eliminohet testimi për kategorinë C, dhe njëkohësisht shmanget edhe pagesa prej 2.200 lekësh.

Drejtoria e Transportit Rrugor njofton qytetarët se nga ndryshimi i këtyre tarifave përfitojnë 189,179 qytetarë, duke u kursyer mesatarisht 788,792,150 lekë/vit apo rreth 7,7 milionë Euro.