
Rriten çmimet e naftës në botë
Shtimi i çmimeve të naftës është shënuar në ditën e hënë, pasi Arabia Saudite ka njoftuar se do të ulë prodhimin e saj për një milion fuçi në ditë gjatë muajit korrik. Nga një prodhim prej 10 milionë fuçi në ditë në muajin maj, Arabia Saudite tani do të prodhojë vetëm 9 milionë fuçi.
Anëtarët e tjerë të grupit të prodhuesve të naftës, OPEC+, janë dakorduar të ulin prodhimin e tyre për të stabilizuar çmimet. Shtetet anëtare të OPEC+ kontrollojnë rreth 40% të prodhimit të naftës bruto dhe vendimet e tyre kanë ndikim të madh në çmimet e naftës.
Në Azi, çmimi i naftës bruto Brent u rrit me 2.4% të hënën, duke shitur një fuçi për 77 dollarë. OPEC+ ka planifikuar të ulë prodhimin në 1.4 milion fuçi në ditë në vitin 2024. Vendimi u mor pas një takimi shtatë-orësh të zhvilluar të dielën. Çmimet e naftës kanë rënë që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, vitin e kaluar, por tani po rikthehen në nivelet paraprake të konfliktit. OPEC+ u pajtua në tetor të vitit të kaluar për të ulur prodhimin për 2 milionë fuçi në ditë, që përfaqëson 2% të kërkesës globale.
Në prill të këtij viti, grupi u pajtua për ulje të tjera në prodhim. Megjithatë, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, tha se bisedimet e zhvilluara të dielën kanë sjellë “vazhdimin e marrëveshjes deri në fund të vitit 2024”. Ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, në ditën e diel, tha se zvogëlimi i prodhimit të shtetit të tij për një milion fuçi në ditë mund të zgjasë edhe pas korrikut me qëllim të stabilizimit të tregjeve.