Rrisim vlerat e pronave me ndërhyrje në çdo lagje, thotë Veliaj

Bashkia e Tiranës vijon me asfaltimin dhe ndriçimin e rrugëve duke shtrirë investimet jo vetëm në qendër, por edhe në periferi.

Së fundmi projekt rikonstruksioni po aplikohet edhe në rrugën “Hamide Dalipi” në Sauk, ku Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, zhvilloi një inspektim gjatë mbrëmjes së të enjtes.

Ai tha se investime të ngjashme, të cilat përmirësojnë cilësinë e jetës, por dhe vlerës së pronave, do të ketë në çdo lagje të Tiranës.

Veliaj u shpreh se formula e drejtimit të tij të Bashkisë është me “çdo ditë nga një punë konkrete”. Sipas tij vetëm kjo formulë i përgjigjet si duhet Tiranës që rritet çdo vit.

Thënë këtë ai shprehu mirënjohje për mirëkuptimin e treguar nga banorët për punimet.

“Jam vërtet mirënjohës për të gjithë banorët që kanë treguar durim. E kuptojnë se, siç një shtëpi nuk ndërtohet në një ditë, ashtu edhe ne duhet të punojmë çdo ditë nga një rrugicë, për t’u siguruar që sistemohen të 10.000 rrugicat e Tiranës. Sot jemi në Sauk, nesër do kemi disa lagje të tjera. Më erdhi mirë që takova disa nga miqtë e mi të vjetër të fëmijërisë, por unë besoj se formula e suksesit është si do arrijmë të ruajmë intimitetin që ka pasur Tirana e vjetër, kur kemi qenë ne fëmijë, me një Tiranë që sot është me 1 milionë banorë dhe se si mund të ndikojë dora e bashkisë në të gjitha rrugicat, edhe pse qyteti ka shkuar nga 42 km katrorë në mbi 1200 km katrorë. E vetmja zgjidhje, e vetmja përgjigje që unë kam për këtë është: çdo ditë nga një punë konkrete,” shtoi ai. 

Kreu i bashkisë siguroi gjithashtu se, “është vetëm çështje kohe që rikonstruksionet të mbërrijmë në çdo rrugicë të Tiranës”. 

“Për të gjithë banorët kemi vetëm një garanci: Për sa kohë që jemi duke punuar çdo natë, është vetëm çështje kohe derisa të mbërrijmë tek rrugica e fundit që ka nevojë për dorën e bashkisë dhe për gjithë këtë urbanizim që po vjen, çka shton edhe vlerën e pronës dhe të çdo investimi që bëhet në këtë njësi. Edhe Xhamia ka më vlerë kur ka një rrugë të bukur pranë, por edhe shtëpitë kanë më vlerë në treg, kur kanë infrastrukturë e ndriçim, ndaj edhe besoj që në finale nuk është vetëm çështje asfalti. Është çështje e rritjes së vlerës së gjithë pronës, që është në fakt mundimi i njerëzve dhe i djersës dhe kursimeve të tyre, të një jete të tërë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij për banorët e kësaj zone.